Ndryshe nga shumë dogana të tjera të vendit tonë, në doganën e Bllatës në Dibër në kufi me Maqedoninë e Veriut, fluksi është në hyrje.
Ditët e fundit ka patur një radhë të shtuar të automjeteve që kalojnë nga shteti fqinj në vendin tonë, për të frekuentuar plazhet e rivierës në Adriatik dhe Jon.
Radha e automjeteve në të dy kahjet e doganës së Bllatës sot shkonte deri në 6 kilometra. Kjo pasi edhe shqiptarët vijojnë të frekuentojnë shtetin maqedonas për tu furnizuar me ushqime, karburant etj.
Duke qenë se kjo doganë funskionon vetëm me një sportel, janë krijuar radhë kilometrike në të dy anët. Qytetarët kërkojnë shtimin e sporteleve gjatë kësaj periudhe pasi ka jo vetëm dyndje emigrantësh por është edhe sezon plazhi.
Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve kërkojnë që kjo doganë të bëhet të paktën me dy sportele në mënyrë që radhë të tilla të mos krijohen më, në veçanti të shtunave dhe të dielave, kur fluksi i kalimtarëve në doganën e Bllatës është më i madh.