Pas lajmit që u dha në “Btvnews” për banesën e familjes Cakoni në fshatin Fshat të Bashkisë Klos, që ka mbetur e bllokuar mes dy rrugëve që të çojnë në rrugën e Arbrit, rasti u bë kryelajm edhe në mediat e tjera investigative dhe ato kombëtare.
E zonja e shtëpisë, Mane Cakoni thotë se askush nuk mbajti përgjegjësi për të drejtën e jetesës në kushte të përshtatshme banimi.
Cakoni shprehet se Kryeministri nuk po lejon kjoskat 20 metra largësi buzë rrugëve, ndërsa mua, që e kam rrugën 20 centimetra larg nga banesa, nuk po më largon. E vetmja mundësi që më mbetet- u shpreh ajo, është t’i drejtohem SPAK-ut për këtë padrejtësi që po më bëhet.
Mane Cakoni shtoi më pas se në vend që shteti apo kompania ta dëmshpërblenin e ta largonin nga aty, janë mjaftuar duke i thënë se ne nuk po ta prishim banesën apo nuk po të cënojmë pronën.
E zonja e shtëpisë akuzon kompaninë që ka ndërtuar rrugën e Arbrit dhe Ministrinë e Inrfrastrukturës dhe Energjisë të cilët e kanë lënë në këtë hall të madh dhe rrezik në çdo moment nga makinat.
Mane Cakoni ju bën apel institucioneve që ta zgjidhin problemin e saj pasi jeta e të gjithë familjarëve është në rrezik të madh nga dy rrugët që i kanë rrethuar banesën.