E enjte, 7 Gusht, 2025

Vdekja e minatorit në Bulqizë! Arrestohen 5 punonjës të stafit teknik: Nuk morën masa për sigurimin e kushteve

Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën 66-vjeçari F.V., si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor në galeri.

Policia ka arrestuar në flagrancë pesë punonjës të stafit teknik të minierës, të dyshuar se nuk morën masat e nevojshme për sigurimin e kushteve të punës.

Të arrestuarit janë Njazi Përkola, Besnik Çupi, Ferit Truka, Ervis Kadiu dhe Edmond Xhafa. Hetimet paraprake tregojnë se neglizhenca në respektimin e rregullave të sigurisë ka çuar në pasojën fatale. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te kushtet e punës në minierat shqiptare.

Njoftimi i policisë:

Bulqizë

Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F.V., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. V., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit