Boksieri japonez Shigetoshi Kotari ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare për shkak të lëndimeve të pësuara në tru gjatë një ndeshje për titull me Yamato Hatan, e cila u zhvillua vetëm shtatë ditë më parë.
Pas përfundimit të duelit, ai humbi ndjenjat dhe u dërgua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni urgjent.
Pas operacionit, atij iu desh edhe një tjetër ndërhyrje, por që nuk ia doli të mbijetonte. Pothuajse një javë pas ndeshjes për titull, federata e boksit (WBO) ka konfirmuar nëpërmjet rrjeteve sociale se Kotari ka ndërruar jetë prej plagëve të marra.
“U prehsh në paqe, Shigetoshi Kotari. Bota e boksit mban zi për ndarjen tragjike nga jeta të boksierit japonez Shigetoshi Kotari, i cili ndërroi jetë për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë ndeshjes së tij për titull më 2 gusht. Një luftëtar në ring. Një luftëtar në shpirt. Iku shumë shpejt. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen, ekipin dhe të gjithë komunitetin japonez të boksit”, njofton WBO.