Detaje të reja janë zbuluar pas aksidentit fatal të mbrëmjes së së dielës në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën motrat Ela dhe Rozina Dhimaku.
Policia ka vënë në pranga 23-vjeçarin Kevi Norra, banor i Gjirokastrës, i cili drejtonte automjetin tip “Audi”. Nga testi i alkoolit rezultoi se Norra ishte në gjendje të rëndë të dehur në momentin e përplasjes.
Në fshatin Kopaçez, ku jetonte familja Dhimaku, janë hapur dyert e mortit. Mësohet se se ato ishin dy më të rriturat e familjes, ndërsa në shtëpi kanë lënë një vëlla vetëm 10 vjeç, i cili vuan nga leuçemia.
Nga ana tjetër, 24-vjeçarja Antonela Zhupa, pasagjere në automjetin tip “Lancia”, ka pësuar politrauma. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, mjekët vendosën ta transferonin drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, i cili ka lënë pas një tragjedi të rëndë familjare dhe shoqërore.