Homazhet do të mbahen nga ora 10:00 deri në 12:00, në ambientet e Universitetit të Arteve, aty ku Zheji studioi regji dhe nisi rrugëtimin e tij artistik.
Të afërm, miq, kolegë dhe figura të njohura të medias dhe politikës do të jenë të pranishëm për t’i dhënë nderimin e fundit, përpara se ai të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Tufinës.
Zheji ndërroi jetë papritur të shtunën, pas një arresti kardiak në Sarandë. Largimi i tij në moshën 64-vjeçare la pas një boshllëk të ndjeshëm në jetën publike shqiptare.
Me një trashëgimi familjare të lidhur ngushtë me artin dhe dijen, i biri i dijetarit Petro Zheji dhe aktores Besa Imami, Artur Zheji solli në jetën mediatike shqiptare thellësi, guxim dhe një mendje të mprehtë. Nga skenari e dramaturgjia, te gazetaria e analiza politike, ai kontribuoi gjatë gjithë karrierës së tij në mënyrë të veçantë dhe të pazëvendësueshme.
Që nga viti 2017, ai drejtonte emisionin “360 Gradë”, një hapësirë debati që u kthye në referencë për diskutimet më të rëndësishme në vend. Në një reflektim të vitit të kaluar, Zheji e quante vdekjen “Zonja Madhështore, e pakorruptueshmja absolute” – një përshkrim që sot merr një tjetër kuptim.