E martë, 26 Gusht, 2025

E mitura shqiptare u mbyt në pishinë! Lirohen nga burgu me kusht prindërit dhe gjyshi i 4-vjeçares në Greqi

Autoritetet greke kanë vendosur të lirojnë me kusht prindërit dhe gjyshin e vajzës së mitur shqiptare, e cila humbi tragjikisht jetën disa ditë më parë në një pishinë në ishullin Paksos. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga Prokurori dhe Hetuesi, duke vendosur për ta masën e ndalimit të daljes jashtë territorit të Greqisë.

Ceremonia mortore për të voglën do të mbahet pasditen e së martës, më 26 gusht, në prani të familjarëve dhe miqve që do t’i japin lamtumirën e fundit. Një detaj prekës dhe i dhimbshëm është se kjo datë përkon me ditëlindjen e saj — ajo kishte lindur po më 26 gusht, katër vite më parë, në vitin 2021.

Sipas avokatit të familjes, tragjedia ndodhi për një çast. “Mjafton një sekondë që të ndodhë fatkeqësia,” u shpreh ai. Familjarët kanë treguar se vajza po luante në korridorin e shtëpisë kur u zhduk pa u vënë re, duke ndodhur gjithçka në një kohë shumë të shkurtër.

Në momentin që u vu re mungesa e saj, prindërit njoftuan menjëherë policinë dhe nisën kërkimet bashkë me fqinjët. Fatkeqësisht, pas një kërkimi intensiv, trupin e pajetë të vajzës e gjeti një kuzhinier që kishte shkuar për të punuar në një vilë disa metra larg shtëpisë.

Një mjek nga Qendra Shëndetësore e Paksos ndërhyri menjëherë për të dhënë ndihmën e parë dhe për të tentuar ta kthenin në jetë, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme. Vogëlushja kishte ndërruar jetë.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe më gjerë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e fëmijëve në zona të hapura dhe afër ambienteve me rrezik, si pishinat.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit