Dy pallate në Peshkopi dhe në Lushnje u përfshinë nga flakët gjatë natës, ndërsa dyshohet se shkak mund të jenë bërë avaritë në rrjetin elektrik.
Siç raporton gazetari Enver Doçi në Peshkopi rreth orës 2:00 zjarri shpërtheu në një pallat 4-katësh, i cili u shkrumbua tërësisht. Mësohet se zjarri ka nisur në një nga apartamentet e katit të katërt, duke u përhapur me shpejtësi në të gjithë objektin.
Forcat Zjarrfikëse shkuan menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur evakuimin e banorëve, ndërsa dëme ka pësuar edhe rrjeti ujësjellës ku ujërat kanë vërshuar kudo.
Zjarri shpërtheu në një panel elektrik të instaluar në një bllok pallatesh, duke shkaktuar panik te banorët. Për pasojë pati shkëputje edhe të energjisë elektrike, ndërsa zjarrfikësit nxorën në kohë banorët që ndodheshin në apartamente. Prej tymit disa banorë u dërguan në Spitalin e Lushnjës.
Banorët në Peshkopi dhe Lushnjë kërkojnë hetim të detajuar nga autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të zjarreve, ku disa familje kanë mbetur të pastrehë.