Zonë e Qaf Murrizes që përfshin fshatrat Xibër–Murrize të Xibrit në Bashkinë Klos dhe Bastar Murrize të Bashkisë Tiranë, vijon të jetë e ndotur.
Qytetarët që kalojnë orët e nxehta të verës në këtë zonë jo vetëm që nuk janë kujdesur që këtë ambjent ta mbajnë të pastër, por kanë shkulur edhe tabelën informuese e paralajmëruese që ishte vendosur nga autoritetet vendore.
Në mungesë ndoshta edhe të një kontejneri mbeturinash që duhej të ishte vendosur nga të dyja bashkitë, vizitorët përdorin bimësinë e dendur për të fshehur ambalazhet e produkteve që konsumojnë gjatë qëndrimit në natyrë.
Edhe pse tashmë bypassi i Murrizit nuk ka fluksin e dikurshëm, vatrat e zjarrit që janë ndezur në livadh tregojnë se ka patur vizitor të shumtë edhe gjatë kësaj vere.
Zona më e ndotur mbetet ajo në kufirin ndarës midis Bashkisë Tiranë dhe asaj të Klosit, por mbeturina ka thuajse në të gjithë vijën e rrugës që nga hyrja e tunelit deri në anën tjetër të fshatit Bastar Murrize.
Duke qenë një zonë me një pamje shumë të bukur natytore, ajo mund të ishte një atraksion turistik për vendas dhe të huaj, ndërsa kujdesi për mbajtjen pastër, duhet akoma edhe më i madh.