Ngjarja tragjike që ndodhi në Volos të Greqisë, ku një 36-vjeçare shqiptare u vra nga bashkëshorti i saj 40-vjeçar, ka tronditur opinionin publik.
Aktakuza ndaj autorit të krimit përshkruan në mënyrë rrëqethëse momentet e fundit të gruas, e cila përpiqej me çdo kusht t’i shpëtonte dhunës së tij.
Sipas dokumenteve të zbuluara nga Zougla.gr, gjithçka nisi me një debat verbal në apartamentin e çiftit.
Në kulmin e tensionit, burri mori një thikë nga një set pjekjeje që ndodhej në ballkon dhe nisi të ndjekë gruan, fillimisht brenda shtëpisë dhe më pas jashtë saj. Viktima u përpoq të mbyllte derën e kuzhinës për ta izoluar në ballkon, por ai e theu derën me forcë.
E tmerruar, ajo vrapoi drejt korridorit dhe shkallëve të pallatit për të shpëtuar, por u kap nga agresori dhe u godit disa herë me thikë në pjesë të ndjeshme të trupit, përfshirë qafën dhe brinjët.
Djali i tyre 13-vjeçar, i pranishëm në skenë, tentoi të ndalojë të atin dhe të mbrojë të ëmën, por pa sukses.
Gruaja mbeti e gjakosur në dysheme, ndërsa burri e braktisi në gjendje kritike dhe u largua me vrap nga vendi i ngjarjes, duke thyer derën prej xhami të hyrjes së pallatit me pincat që mbante në dorë. Thika e krimit ende nuk është gjetur nga autoritetet.
Në dëshminë e tij, autori pretendoi se ishte “ngatërruar” pas një debati të ashpër, duke thënë se bashkëshortja i kishte rrëfyer se fëmija që ajo kishte abortuar nuk ishte i tij. “Nuk mbaj mend çfarë ndodhi.
Dola në ballkon dhe pastaj gjithçka më është errësuar. Thikën e mora për ta trembur, e hodha diku në rrugë por nuk mbaj mend ku,” u shpreh ai.
Ai mohoi gjithashtu që djali i tij të ketë tentuar ta ndalojë, duke shtuar se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe kishte tentuar vetëvrasjen muaj më parë – një akt nga i cili ishte shpëtuar pikërisht nga i biri.
Megjithatë, dëshmitë e mbledhura tregojnë se gruaja kishte qenë për një kohë të gjatë viktimë e dhunës në familje, duke jetuar nën frikën dhe presionin psikologjik të një marrëdhënieje abuzive që, fatkeqësisht, përfundoi në mënyrë tragjike.