E hënë, 1 Shtator, 2025

Arti në zi! Shuhet në moshën 89-vjeçare regjisori i shquar, Dhimitër Anagnosti!

Shuhet në moshën 89-vjeçare regjisori i madh, Dhimitër Anagnosti. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije vajza e tij, Juna Anagnosti, e cila ka shkruar se pas një lëngimi të gjatë, iu bind ligjit të jetës.

“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, ka shkruar ajo krahas një fotoje që ka publikuar në rrjete sociale.

Për ndarjen e tij nga jeta kanë reaguar figura të artit dhe politikës. Kryeministri Edi Rama shkruan se iku ‘babai i kinemasë shqiptare’, autori i shumë skenareve që shenjuan rrugën e kinematografisë. Presidenti Bajram Begaj shprehet se “Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll”. Ish presidenti Ilir Meta u shpreh se trashëgimia e tij do të mbetet monument i pavdekshëm.

Ai do të varroset në Vuno të Himarës, në vendlindjen e tij, ku ka kërkuar që të prehet. Anagnosti ishte një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinematografisë. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.

Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e qytetarëve si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe shumë të tjerë.

Anagnosti kishte pasion edhe letërsinë. Ai botoi dy libra, romanin “Koburja nga Europa” (2017) dhe “Ulliri pema e dhembjes” (2019), në të cilin, i cili zbulon dy jetët e tij, atë të shkrimtarit dhe kineastit.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, qëndrimin qytetar si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit” dhe është vlerësuar me dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Përveç artit, ai ka dhënë kontribut edhe në politikë. Ka shërbyer si deputet i PD-së (1991-1996). Në 12 prill 1992, u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit