Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se një marrëveshje paqeje e qëndrueshme me Ukrainën nuk mund të arrihet pa adresuar çështjen e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.
Gjatë fjalës së tij në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), që po mbahet në Tianjin të Kinës, Putin tha se Perëndimi ka tentuar ta fusë Ukrainën në sferën e tij të ndikimit dhe më pas të tërheqë vendin drejt aleancës ushtarake të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Që një zgjidhje për krizën ukrainase të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë, duhet të adresohen shkaqet rrënjësore të saj – dhe ato janë pikërisht përpjekjet për zgjerimin e NATO-s”, u shpreh presidenti rus.
Deklarata e Putinit vjen pas takimeve me liderin kinez Xi Jinping dhe kryeministrin indian Narendra Modi, në kuadër të samitit ku po diskutohet edhe për sigurinë rajonale dhe rendin ndërkombëtar.
Rusia ka paralajmëruar në vazhdimësi se lëvizjet e NATO-s drejt kufijve të saj përbëjnë një kërcënim direkt për sigurinë kombëtare, ndërsa pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022 u justifikua pjesërisht me këtë argument.
Nga ana tjetër, Ukraina ka kërkuar vazhdimisht një ftesë të qartë për anëtarësim në NATO. Në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, liderët e aleancës u zotuan se Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëhen pjesë e saj në të ardhmen – një vendim që Rusia e ka kundërshtuar ashpër.
Ndërkohë, sipas përfaqësuesit të posaçëm të SHBA-ve, Steve Witkoff, Putin është shprehur muajin e kaluar i gatshëm të pranojë një marrëveshje në të cilën Ukraina mund të marrë garanci sigurie të ngjashme me ato që ofron NATO, por pa anëtarësim të menjëhershëm në aleancë.