Këshilli i Ministrave ka shpallur të martën, 2 shtator 2025, ditë zie kombëtare në kujtim të regjisorit dhe personalitetit të shquar të artit shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
Vendimi vjen në shenjë respekti për kontributin e tij të gjatë në kinematografinë shqiptare dhe skenën artistike.
Sipas njoftimit të bërë nga Agjencia për Media dhe Informim, gjatë kësaj dite flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike.
Po ashtu, në orën 10:00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin, si shenjë nderimi për figurën e Anagnostit.
Homazhet publike do të zhvillohen në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, nga ora 10:00 deri në orën 13:00. Gjatë kësaj kohe, Radiotelevizioni Publik Shqiptar do të transmetojë muzikë funebre.
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror, që do të veprojë nën mbikëqyrjen e Kryeministrit. Shpenzimet për homazhet dhe varrimin do të mbulohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Vendimi ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare. Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në fushën e filmit. Ai konsiderohet si një prej emrave më përfaqësues të kinemasë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.