E mërkurë, 3 Shtator, 2025

Pallati mori flakë 1 javë më parë! Nxirret nga banesa e moshuara me oksigjen. Banorët të shqetësuar…

Pallati mori flakë 1 javë më parë! Nxirret nga banesa e moshuara me oksigjen. Banorët të shqetësuar: Bashkia Dibër dhe Emergjencat Civile të na ndihmojnë.

Një pallat katërkatësh në qendër të Peshkopisë është përfshirë nga flakët rreth një javë më parë. Nga zjarri është djegur plotësisht kati i katërt, ndërsa për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Një i moshuar, e cila ndodhej në banesë dhe ishte me oksigjen, u nxor në kohë nga fqinjët, duke shmangur kështu pasojat tragjike.

“Për fat të mirë nuk isha në banesë kur shpërtheu zjarri, por gjithçka është shkatërruar. Janë djegur mobiliet, orenditë shtëpiake dhe gjithçka tjetër. I gjithë kati i katërt është i dëmtuar, ndërsa edhe kati i tretë ka pësuar dëmtime, madje tashmë depërton edhe uji në brendësi të apartamenteve,” – shprehet një prej banorëve të prekur.

Sipas banorëve, Bashkia e Dibrës ka marrë përsipër rindërtimin e çatisë së pallatit, ndërsa Emergjencat Civile do të mbulojnë 50% të shpenzimeve për riparimet. Aktualisht po punohet për pastrimin e mbetjeve të djegura, pasi janë gjashtë apartamente të shkatërruara vetëm në katin e katërt.

“Për momentin jemi të strehuar tek të afërmit tanë. Shpresojmë që Bashkia dhe Emergjencat Civile të na ndihmojnë sa më shpejt, sepse po afrohet dimri dhe Dibra është një vend shumë i ftohtë,” – thotë një prej banorëve të pallatit.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit