Rruga kryesore që lidh këto fshatra me Rrugën e Arbërit, si dhe rrugët brenda lagjeve, janë të amortizuara, duke e bërë lëvizjen tejet të vështirë, sidomos gjatë stinëve me reshje. Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi të thellë tek komuniteti, i cili ndihet i braktisur nga autoritetet lokale.
Problemet me infrastrukturën rrugore nuk janë të reja për banorët e kësaj zone. Në shumë raste, ndërhyrjet nga Bashkia Bulqizë kanë qenë të përkohshme dhe të kufizuara, shpeshherë vetëm gjatë periudhave të fushatave elektorale.
Sipas dëshmive të banorëve, pas hedhjes së një shtrese zhavorri për të mbuluar gropat, investimet ndërpriten plotësisht. Kjo situatë e bën të pamundur një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Përveç vështirësive në lëvizje, banori e fshatit Sopot, Selim Lika ngrenë një shqetësim tjetër madhor: sigurinë e fëmijëve. Rrugët drejt shkollës,thotë ai, janë të pakalueshme, plot me baltë dhe ferra.
Braktisja e fshatrave, theksojnë banorët, është një pasojë direkte e mungesës së investimeve bazë në infrastrukturë, duke i detyruar banorët të shpërngulen për një jetë më të mirë.