Kroacia ka bllokuar një sasi prej 5,562 kg pjeshkë me origjinë nga Shqipëria, për shkak të pranisë së nikelit mbi normat e lejuara.
Njoftimi për këtë rast u mor nga Sistemi RASFF më 22 gusht 2025, dhe u konfirmua pas analizave të kryera në shtetin kroat. Pas marrjes së njoftimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri (AKU) ka nisur hetimet dhe ka gjetur se produkti nuk ishte shpërndarë në tregun vendas, por ishte dërguar ekskluzivisht për eksport.
Sasia e pjeshkëve u asgjësua në Kroaci pas rezultatëve të analizës. Ky rast është përcjellë dhe për masa të tjera nga autoritetet shqiptare.
Njoftim për konsumatorin nga RASFF:
Më datë 22.08.2025, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF, në kategorinë Njoftim për refuzim në kufi me numër reference 2025.6367 me temë: “Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria”, të njoftuar nga Kroacia.
Nga analizat e kryera në shtetin kroat, është konstatuar prania Nikel mbi normën e lejuar. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier. U krye inspektim në OBU eksportues, ku rezultoi se nuk ka gjendje të produktit në magazinat e tij.
Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas.
Sasia prej 5562 kg pjeshkë janë dërguar drejt Kroacisë, ku dhe janë asgjëuar pas rezultatit të analizës laboratorike. Rasti iu referua dhe AKVMB për masa të mëtejshme. AKU ka bërë edhe njoftimin përkatës mbi rezultatet e verifikimeve në kategorinë e njoftimeve RASFF.