E enjte, 4 Shtator, 2025

Posedonin armë zjarri dhe lëndë narkotike, arrestohen dy persona në Dibër

Si pasojë janë arrestuar dy shtetas të identifikuar si E. K, dhe A. T, pasi posedonin lëndë narkotike dhe armë zjarri.

Blutë kanë sekuestruar një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe drogë.

Njofim i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të operacioneve policore me objektiv identifikimin e shtetasve që posedojnë armë zjarri, si dhe mbajnë apo shesin lëndë narkotike duke cenuar sigurinë e qytetarëve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Mesnata”.

Si rezultat, shërbimet e Policisë, në fshatin Sllovë, kanë ndaluar automjetin tip “Peugeot”, që drejtohej nga shtetasi E. K. (D), 26 vjeç, banues në fshatin Blliçë, dhe pasagjerin, shtetasin A. T., 22 vjeç, banues në fshatin Fushë-Alie.

Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit iu gjet e fshehur në trup një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shitje.

Po në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesat e këtyre dy shtetasve, ku, në banesën e shtetasit A. T., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe 25 copë fishekë, të cilët i mbante pa leje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• E. K. (D), për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
• A. T., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit