Rënia drastike e numrit të fëmijëve që hyjnë në klasë të parë është një fenomen tashmë mbarëkombëtarë.
Por më shumë ky fenomen ndjehet në zonat rurale. Në 5 fshatra të Bulqizës këtë vit është regjistruar vetëm një fëmijë në klasë të parë.
Bëhet fjalë për fshatrat “Zogje”, “Kovashicë”, “Shtushaj”, “Mazhicë” dhe “Bllacë” të Njësisë Administrative Shupenzë.
Të gjithë këta fshatra i dërgojnë fëmijët në shkollën 9-vjeçare “Man Jella” në Zogje.
Sipas drejtuesve të kësaj shkolle, për vitin shkollor 2025 – 2026 është regjistruar vetëm një fëmijë në klasë të parë. Dikur këto fshatra kishin rreth 500 nxënës, ndërsa sot ka vetëm 32 nxënës.
Mësimi bëhet në klasa kolektive për shkak të numrit të të vogël të tyre.
Artan Zeneli nga fshati Kovashicë thotë se braktisja e fshatrave është fatkeqësia më e madhe e këtij vendi. Ai shprehet se dikur ishin 500 nxënës, por largimi masiv ka shkretuar jo vetëm jetën në fshat, por edhe shkollat.
Banorët e mbetur aty janë shpresëhumbur se një ditë fshatrat do të popullohen siç ishin dikur.