E enjte, 11 Shtator, 2025

Sot Asambleja e PS-së, Rama do të zbulojë ekipin e ri qeveritar

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të enjte, më 11 shtator, Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku do të shpallë për herë të parë publikisht përbërjen e qeverisë së re, e cila do të drejtojë vendin gjatë mandatit të katërt të tij.

Mbledhja e Asamblesë do të nisë në orën 11:00 dhe do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve. Fillimisht do të miratohet rendi i ditës, përpara se fjalën ta marrë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili do të prezantojë emrat e kabinetit të ri, si dhe do të listojë prioritetet kryesore të qeverisë së re për vitet në vijim.

Rama, i cili e ka konfirmuar vetë këtë datë në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, nuk ka zbuluar asnjë emër konkret të kabinetit të ri, por ka theksuar se do të jetë një “qeveri e re”, me një kombinim të emrave me përvojë dhe figurave të reja. Ai ka theksuar se përbërja do të pasqyrojë “vullnetin dhe aspiratat e 11 majit”, si dhe do të ruajë balancën gjinore mes grave dhe burrave. Si rrallëherë, lajmet me hamendësime për emrat e ministrave të rinj këtë verë kanë qenë të pakta. Kjo edhe për faktin se Rama nuk i konsulton paraprakisht me të përzgjedhurit e tij propozimet për ministra, por i bën ato publike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

Pas fjalës së Ramës, e cila pritet të jetë publike, punimet e Asamblesë do të vijojnë me dyer të mbyllura, ku pritet të ketë diskutime dhe pyetje nga anëtarët e forumit më të lartë drejtues të Partisë Socialiste.

Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, kryeministri do të zhvillojë edhe një takim të veçantë me grupin e ri parlamentar të PS-së, i cili është formuar pas zgjedhjeve të 11 majit. Ky takim do të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe do të shërbejë si përgatitje për nisjen e legjislaturës së re.

Të premten, më 12 shtator, do të mbahet seanca e parë plenare e Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën e XI-të, e dekretuar tashmë nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Gjatë kësaj seance, 140 deputetët e rinj do të bëjnë betimin për detyrën.

Pas konstituimit të Parlamentit, kryeministri Edi Rama do të duhet të dorëzojë listën e propozuar të ministrave në Presidencë. Presidenti ka afat 7 ditë për të dekretuar emrat, ndërsa pas kësaj, brenda 10 ditësh, dekretet kalojnë për votim në Kuvend, në një seancë ku kryeministri do të prezantojë edhe programin politik të qeverisë së re.

Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste siguroi një fitore të thellë me 83 mandate, duke lënë pas opozitën e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila së bashku me aleatët e saj arriti të marrë vetëm 50 mandate, një nga diferencat më të mëdha elektorale në historinë pluraliste të vendit.

Të enjten pritet të nisë një kapitull i ri për qeverinë Rama, me shumë sy të drejtuar te emrat e rinj, prioritetet e shpallura dhe drejtimi që do të marrë Shqipëria në këtë mandat të katërt të njëpasnjëshëm.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit