Apeli i GJKKO ka rrëzuar ankimimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Pas shqyrtimit të kërkesës, u la në fuqi vendimi i GJKKO, që e dënon Dakon me 2 vite e 8 muaj burg. Kështu Dako, i akuzuar për korrupsion, pritet të rikthehet në burg për të vijuar pjesën e dënimin që i mbetet, ndërsa rreth një vit më parë u la në arrest shtëpie.
Gjyqtarja Fjorela Davidhi vendosi që Dako të kalonte në arrest shtëpie, për shkak se kanë përfunduar afatet, ndërkohë që u urdhërua plotësim hetimesh.
Në fuqi është lënë edhe dënimi përfundimtar me 2 vite burg për të bashkëpandehurit e Dakos, Ardian Bulku dhe Fiqiri Farruku.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.