E martë, 16 Shtator, 2025

Euro prek minimumin historik prej 97 lekë, Civici: Negative për eksportet

Në fillim të kësaj jave, monedha e përbashkët europiane ka prekur një tjetër minimum historik, duke rënë nën 97 lekë. Sipas ekspertit të ekonomisë, Adrian Civici, duhet të mësohemi me këtë rend të ri të kursit të këmbimit të euros.

“Gjatë gjashtë mujorit të parë, mbi 2.1 miliardë euro kanë qenë të hyra nga turizmi, shkaku kryesor i shtimit të kësaj vlere. Nëse shtojmë këtu muajin korrik dhe gusht, kjo shifër bëhet akoma më e lartë. Pikërisht, kjo është arsyeja kryesore pse ndodhet në këtë presion të vazhdueshëm ër t’u nënvlerësuar në raport me lekun. Intervali me të cilin duhet të mësohemi është 1 euro, 98 apo 100 lekë.”, tha Adrian Civici, ekspert ekonomie.

Rënia e euros dhe fuqizimi i lekut ka anët e saj pozitive dhe negative në ekonomi.

“Përfituesit në radhë të parë janë importuesit, të cilët e kanë euron të lirë për blerje. Ndërsa ata që humbasin janë eksportuesit shqiptarë të cilët kanë të ardhura më të pakta në raport me tregjet e eurozonës, ku dhe ne kemi pjesën më të madhe tregtare. Forcimi i lekut dhe rënia e euros ndikon indirekt, kjo si efekt statistikore dhe bilancin monetar për masivin e borxhit publik apo shpenzime e detyrime të tjera qeveritare”, shtoi eksperti.

Ndërkohë, më të prekur janë familjet që mbahen nga remitancat. “Humbës janë ata që kanë depozita në euro. Një pjesë e madhe e familjeve që burim kryesor të konsumit kanë remitancat, natyrisht fuqia blerëse e tyre është më e ulët. Nga ana tjetër, përfitojnë ata që kanë kredi në euro dhe të ardhurat kryesore i kanë në lekë, kredia e tyre bëhet më e lirë”, tha Civici.

Për të normalizuar tregun valutor, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë duke blerë euro në treg. Vetëm përmes ankandeve synohet blerja e 350 milionë eurove. Banka Qendrore planifikon që deri në fund të vitit, rezerva valutore të arrijë në 7.3 miliardë euro.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit