Prokuroria e Dibrës ka kërkuar burgim të përjetshëm për autorin e dyshuar të vrasjes së 52-vjeçarit Petrit Pupla në Janar të vitit 2024 në fshatin Vig të Matit.
Ndërkohë, mësohet se në seancën e fundit, prokurori i çështjes Abaz Muça ka kërkuar dënim maksimal për autorin e dyshuar Islam Mata. Tashmë pritet që Gjykata të dalë me vendim me datë 29 Shtator.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në 21 Janar të vitit 2024 në fshatin Vig. Mësohet se Islam Mata ka parë rastësisht në rrugë Petrit Puplën dhe e ka qëlluar me armë gjahu. Direkt pas ngjarjes ai ka njoftuar policinë për krimin e kryer.
Ndërkohë, dyshohet që zanafilla e kësaj vrasje është në vitin 2011 kur viktima Pupla ka gjuajtur në drejtim të familjes Mata në fshatin Lis të Matit. Gjatë të shtënave mësohet se është plagosur vajza e Islamit. Për këtë, Petrit Pupla banues në fshatin Shëlli është arrestuar dhe ka vuajtur dënimin me 7 vite burg.
Pas daljes nga burgu ai ishte zhvendosur të jetonte në Durrës, por rreth 3 vite para se të vritej ishte rikthyer në fshatin Vig që është ngjitur në fshatin Shëlli për të punuar në një fermë lopësh.
Sipas dokumentit të prokurorisë, në deklarimet e familjarëve të autorit të dyshuar të vrasjes, viktimës i ishte kërkuar të mos kthehej më në fshatin Vig pasi kishte dalë nga burgu. Do të jetë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër ajo që do të vendosë për masën e dënimit të Islam Matës me 29 Shtator.