Zona e njohur si ish-“Gatrri” në lagjen Shkorsë të fshatit Suç në Bashkinë e Klosit, po vijon të ndotet.
Në këtë zonë hidhen mbeturina nga më të ndryshmet duke krijuar pirgje të mëdha. Persona të papërgjegjshëm e kanë përdorur këtë vend për të depozituar mbetje të gurta që dalin nga rikonstruksioni i objekteve të ndryshme, për shkak edhe se ndodhet ngjitur rrugës nacionale Burrel – Klos.
Siç duket nga pamjet, aty janë depozituar që nga tulla, materiale të tjera e deri tek eterniti që është një material shumë i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Madje, specialistët thonë se eterniti ka përmbajte të lëndëve kancerogjene dhe ndalohet me ligj.
Ky material në Shqipëri është një përzierje 90% me 10% e çimentos me amiantin dhe përdorej dikur për të mbuluar godinat, pasi për shkak të karakteristikave të tij eliminon zhurmën e shiut. Ekspertët thonë që rreziku është aq i lartë sa askush nuk duhet të afrohet pranë.
Po ashtu, në zonë janë depozituar edhe mbeturina të tjera që nga veshjet tekstile e deri tek plastika e tubacioneve të ndryshme.
Për shkak të terrenit, mbeturinat janë hedhur edhe brenda bimësisë për të mos u pikasur nga udhëtarët apo autoritetet për mbrojtjen e mjedisit. Këta të fundit duhet të ndërhyjnë për të gjetur autorët e kësaj ndotje dhe ndëshkimin e tyre sipas dispozitave ligjore në fuqi.