Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan caktoi masën ‘arrest me burg’ për një 37-vjeçar që akuzohet për abuzim seksual.
37-vjeçari me inicialet B.B., akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”, pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me vajzën e bashkëjetueses së tij, 15 vjeçe;
Seanca u zhvillua në prani të të pandehurit, përfaqësuesit të tij ligjor të caktuar kryesisht, si dhe përfaqësuesit të Prokurorisë. Gjatë seancës u shqyrtuan rrethanat dhe provat e paraqitura nga organi i akuzës, i cili kërkoi vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të shtetasit B.B., si dhe caktimin ndaj tij të një mase sigurie me karakter shtrëngues. Pas vlerësimit të materialeve dhe pretendimeve të palëve, Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë dhe të vlerësojë si të ligjshëm ndalimin e B.B., duke caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest me burg”. Vendimi i sotëm i Gjykatës vjen si pjesë e hetimeve të vazhdueshme për çështjen penale në ngarkim të B.B., dhe ka për qëllim garantimin e zhvillimit normal të procesit penal, shmangien e çdo rreziku për pengimin e hetimeve apo largimin e personit nën hetim nga drejtësia.