E mërkurë, 24 Shtator, 2025

“Shokët i thanë je e shpifur”, babai i 15-vjeçares që u hodh nga lartësia: S’është hera e parë!

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Sarandës, pasi një vajzë 15-vjeçare është hedhur nga ballkoni i banesës, në rrethana që po hetohen nga autoritetet.

Ka dyshime se shkak për këtë akt ekstrem është bullizimi i vazhdueshëm në shkollë. Babai i saj, Arben Cërriku, ka rrëfyer mes lotësh për median se vajza kishte kohë që vuante nga ofendimet dhe komentet denigruese nga shokët dhe shoqet.

“Vajza vjen dje nga shkolla, rreth orës 13:30. (qan) I thotë të vëllait; Nesti, një vajzë dhe një shok në klasë më ofendon dhe më thotë; je e shpifur. Vëlla i tha; mos u mërzit se do ta zgjidhim. Vajza u shtri në krevat dopio dhe ish-gruaja po bisedonte me një mësuese. Për hatër të fëmijëve, u bashkuam dhe ishim të gjithë bashkë. Dje kishim dhe ditëlindjen e djalit të vogël, mbush 12 vjeç. Në një moment gruaja dëgjon një zhurmë dhe më thotë; O Ben, shiko pak se çfarë ishte. I thash; nuk ka gjë.

Ajo del në ballkon dhe sheh vajzën shtrirë. Ulëriti. Dalim të gjithë jashtë. U mblodhën të gjithë dhe e çuam në spital. Erdhi ambulanca dhe e çuam në spital. Për momentin këtu u përmend. Nuk është hera e parë që vajza vjen e ndrojtur, dhe e frikësuar nga shokët dhe shoqet. Tani është në gjimnaz, por e njëjta gjë i ndodhte dhe në 9-vjeçare. Ne bisedonim me të, e nxirrja. E shihja se kohët e fundit ishte më keq”.

Sipas babait, kjo nuk ishte hera e parë që vajza shfaqte shenja të thella ankthi dhe izolimi për shkak të bullizimit. Ai tregoi se edhe kur ishte në ciklin 9-vjeçar, përballej me të njëjtat probleme dhe se gjendja e saj mendore ishte përkeqësuar muajt e fundit.

“Nuk ka shoqe, vetëm një vajzë në lagje ka dalë. Edhe djalin e vogël e bullizojnë, nuk shkon në shkollë. Unë kam 20 vite në Sarandë. Si këtu nuk më ka ndodhur ndonjëherë. Mendoj se do ta heq fare vajzën nga shkolla. Mësuesja është një prind i dytë për fëmijën tim. Ajo sot u hodh nga ballkoni, nesër mund të shkojë të mbytet në det. Duhet ta ruaj 24/7. Jam i papunë, punoj në të zezë. Gruaja punon nëpër shtëpi, pastruese. Jam prej 20 vitesh me qira.”, tha babai i adoleshentes, ndërsa e mbylli rrëfimin e tij me një apel për të ngritur në fokus këto shqetësime”.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për bullizimin në shkolla, shëndetin mendor të adoleshentëve dhe mungesën e mbështetjes institucionale në rastet e ngjashme.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit