Banorët e Dibrës por edhe të Bulqizës vijojnë të shfrytëzojnë distancën e shkurtër me Maqedoninë e Veriut për të furnizuar automjetet e tyre me karburant.
Kjo ka bërë që të ketë radhë të madhe në të dy anët e kufirit sidomos gjatë fundjavës. Qindra qytetar dibran dalin në Dibër të madhe për të furnizuar automjetet e tyre për shkak se atje nafta është 110 lekë kundrejt 170 lekëve që është në vendin tonë.
Por drejtuesit e mjeteve ngrejnë shqetësimin e pritjes në radhë për orë të gjata teksa duhet të kalojnë kufirin.
Kjo sipas tyre ndodh pasi të dyja shtetet punojnë vetëm me një sportel për hyrje-daljet që bëhen çdo ditë. Ata kërkojnë që shtetet të rrisin kapacitetet në këtë doganë pasi vitet e fundit lëvizja e qytetarëve është shtuar shumë për shkak të çmimeve të ulta të shumë produkteve në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut.
Radhët e gjata në doganën e Bllatës shpesh janë bërë publike në media, por deri tani asnjë masë nuk është marrë për shtimin e numrit të sporteleve në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve