Një banore e fshatit Vojnik, në njësinë administrative Maqellarë të Dibrës, ka ngritur një shqetësim lidhur me kushtet në të cilat ndodhet shkolla 9-vjeçare e zonës, ku mëson edhe fëmija i saj. Sipas saj, prej kohësh shkolla përballet me mungesë uji dhe energjie elektrike, çka sipas prindërve ndikon negativisht në zhvillimin normal të mësimit dhe në mirëqenien e fëmijëve.
Në një mesazh dërguar redaksisë, ajo thotë se ambientet e shkollës janë të papërshtatshme dhe nuk plotësojnë kushtet bazë higjieno-sanitare. Banjat janë jashtë funksioni, ndërsa pastërtia lë për të dëshiruar, duke u kthyer në burim shqetësimi për shëndetin e nxënësve.
“Shkolla është pa drita dhe pa ujë. Ambientet janë të papastra, banjat nuk funksionojnë. Fëmijët nuk ndihen rehat dhe jemi të shqetësuar për shëndetin e tyre. Kemi folur disa herë si prindër, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete,” – shprehet ajo.
Prindërit kërkojnë nga autoritetet arsimore dhe vendore që të ndërhyjnë sa më parë për të përmirësuar kushtet në shkollë, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë në një mjedis të pastër, të sigurt dhe funksional.