Rruga që lidh fshatrat Gjoricë dhe Viçisht, e njohur historikisht si rrugë kufitare, vijon të jetë në një gjendje të mjerueshme, duke u kthyer në një problem serioz për banorët e zonës. Në ditë me reshje shiu, si ajo e sotmja, gropat në rrugë mbushen me ujë, duke e bërë thuajse të pakalueshme për mjetet e vogla.
Kjo rrugë përdoret çdo ditë nga banorët e fshatrave në kufi me Maqedoninë e Veriut, përfshirë Viçishtin, Tërbaçin, Mireshin dhe të tjerë. Ata shprehen se janë të lënë pas dore nga autoritetet, pavarësisht kërkesave të përsëritura për ndërhyrje.
“Prej vitesh jemi duke kërkuar asfaltimin e këtij segmenti, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë. Rruga është e degraduar totalisht”, shprehen banorët.
Banorët kërkojnë që rruga të rehabilitohet dhe të asfaltohet, ashtu siç është bërë me segmentin nga Ura e Çerenecit deri në Ostren dhe pjesën tjetër nga Ura e Çerenecit deri në Çerenecin e Sipërm.
Për shkak të gjendjes së rënduar, qarkullimi i automjeteve të vogla është kthyer në një sfidë të përditshme. Gropat e mëdha përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës rrezikojnë jo vetëm dëmtime të mjeteve, por edhe sigurinë e jetës së udhëtarëve.
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet për të mos mbetur të izoluar në muajt e dimrit që po afrojnë.