Gjykata Kushtetuese ka pezulluar drekretin e Presidentit Begaj, për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë. Kjo pasi Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.
“Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.”, sqarohet në njoftimin e Gjykatës.
Më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.
Me vendimin e Kushtetueses, do të thotë që zgjedhjet e pjesshme nuk do të zhvillohen. Kështu ka sqaruar dhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi se nëse Gjykata Kushtetuese vendos për pezullimin e zgjedhjeve, ato nuk do të zhvillohen.
“Nëse vendos pezullim, zgjedhjet nuk do të zhvillohen, nëse i shpall të pavlefshme do të ribëhen”, tha ai.
PS kishte zyrtarizuar Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, ndërsa opozita mbështeti Florian Binajn. Kandidat nga Lëvizja Bashkë ishte shpallur Arlind Qori.