Një situatë shqetësuese është regjistruar në shkollën 9-vjeçare të Maqellarës, ku për disa ditë me radhë tualetet kanë qenë jashtë funksioni, duke detyruar nxënësit – përfshirë edhe ata të ciklit të ulët – të kryejnë nevojat personale nëpër korridore dhe ambiente të brendshme të shkollës.
Tualetet janë gjetur të bllokuara, me dyer të dëmtuara dhe pa asnjë lloj mirëmbajtjeje. Mungesa e një sanitareje ka bërë që higjiena të kthehet në një problem serioz për stafin dhe nxënësit.
Drejtori i shkollës shpjegoi se këtë vit nuk është siguruar një punonjëse pastrimi, duke shtuar se më parë pagesa bëhej nga prindërit, ndërsa tani përgjegjësia i është kaluar Bashkisë Dibër.
“Situata degradoi sepse nuk kishim një sanitar. Pastrimin e kanë bërë mësuesit dhe nxënësit. Madje, fëmijët e klasave të para nuk arrinin dot as të përdornin tualetet. Deri tani, mirëmbajtja është bërë me mundësitë tona”, u shpreh ai.
Pas interesimit nga mediat, Bashkia Dibër reagoi menjëherë. Nënkryetari i saj, Lorenc Cibaku, konfirmoi se ishin në dijeni të situatës dhe kishin marrë masa të menjëhershme.
“Punonjësit e shërbimit kanë qenë në terren për të pastruar tualetet dhe një sanitare do të jetë e pranishme në vazhdimësi në shkollë,” – deklaroi ai.
Vetëm dy orë pas reagimit të bashkisë, tualetet e shkollës u pastruan dhe u rikthyen në funksion. Megjithatë, ngjarja ngre shqetësime serioze mbi kushtet higjieno-sanitare në institucionet arsimore dhe nevojën për një plan të qëndrueshëm mirëmbajtjeje.