E premte, 29 Mars, 2024

PD me formulë të re për nenin 88, Basha: Rama refuzon kompromisin prej 17 ditësh

Basha-640x370Pas mbledhjes me aleatët e opozitës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të pranojë propozimin e tretë të ofruar për reformën në drejtësi brenda një periudhe të shkurtër.
Basha theksoi se Rama po bën lojë të dyfishtë për të sabotuar reformën, duke refuzuar propozimet e opozitës pa asnjë argument sipas tij. Ai pranoi se PD ka heqyr dorë nga formula e vendeve të rezervuara, por nga ana tjetër vendos sërish kushte, transmeton Gazeta Shqip.
“Prej 17 ditësh Partia Socialiste, jo vetëm refuzon kompromisin e ofruar nga opozita, por refuzon të paraqesin arsyet pse nuk e pranojnë këtë zgjidhje. Në këto kushte, sa më shumë mazhoranca futet në llogoret e saj, duke refuzuar rekomandimin 88, aq më shumë shqiptarët e kanë të qartë që Rama nuk e do refomën në drejtësi, por fajin kërkon t’ia lërë fajin PD”, – tha Basha.
Sipas Bashës, “Rama kërkon dështimin e reformës. Ne nuk kemi votat për të diktuar një refomë sipas Vencias, por këmbëngulim që opinioni final i Venecias të materializohet i plotë në draftin kushtetues. Nëse kjo dështon, kjo ka vetëm një emër: Edi Rama. Përgjegjësia është e tij, sepse opozita investoi për këtë proces. Ka një rrugë për të pranuar këtë dhe kjo është rruga e kompromisit. Ky është propozimi i tretë që opozita bën dhe Rama nuk pranon, se ai ka frikë për një refomë të vërtetë në drejtësia”.
Kryedemokrati e paralajmëroi Ramën se një ditë do të mbajë përgjegjësi për vjedhjet dhe koncesionet e paligjshme të qeverisë së tij.
“Gjyqtarët e prokurorët do të marrin një ditë në dorë, vjedhjet e koncesionet e Ilir Beqjes, grabitjet e Tahirit, që ka shpallur zonën Fushë Krujë-Durrës, si zonë të grabitjes. Apo edhe skandali me foton me Obamën, ku drejtësia shqiptare duhet ta marrë të pandehur se ka shkelur ligjin”.
PD propozon formulën e re për rekomandimin 88
Më herët, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka takuar aleatët e opozitës për të diskutuar mbi temën e reformës në drejtësi, ku PD ka propozuar një formulë të re bazuar në rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, për vendet e rezervuara në sistemin e drejtësisë. Kjo është pika e vetme që ndan aktualisht palët nga konsensusi për reformën.
PD kërkon komision ‘ad hock’ me 12 anëtarë deputetë, 6 të opozitës dhe 6 të mazhorancës. Sipas kësaj formule, anëtarët e komisionit zgjedhin nga një gjyqtar në mënyrë elektronike.
Sipas PD, propozimi i ri është një mundësi për konsensus pasi është i bazuar sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Demokratët kërkojnë “vendet e rezervuara” në katër institucione të reja që krijohen nga reforma në drejtësi. Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit janë katër institucionet ku PD kërkon të drejtën e propozimit të emrave
Në takim ishte i pranishëm edhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i cili më herët kishte shprehur qëndrimin e tij kundër reformës në drejtësi, duke u larguar që para një viti nga koalicioni opozitar.
Në takim kanë qenë të pranishëm kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i Partisë Agrare, Agron Duka, Dashamir Shehi etj.
21 korriku është afati i fundit ku ne seancën plenare do të hidhen në votim ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit