E enjte, 18 Prill, 2024

INTERVISTË/ I RIU NGA BULQIZA: NË SHQIPËRI NUK MUNDEM MË, UNË DO TË IKI

BritaniaINTERVISTË/ Fjalinë “unë dua të iki nga Shqipëria” këto kohët e fundit mund ta keni dëgjuar paksa si shumë, nuk mund të bëjmë një ndarje në mes grupmoshave, por mund të themi se ajo 20-27 vjeç kanë edhe dëshirën më të madhe për t’u larguar. Një gjë të tillë gjeti edhe ishull.com. O.D është 21-vjeç nga Bulqiza i cili brenda pak ditësh do të niset për në drejtim të Britanisë, së bashku me disa shokë të tij. Ai nuk pranoi që t’i zbulohej identiteti për shkak se i friksohej ndonjë problemi që mund t’i dilte më pas.
O.D ka mbaruar Gjimnazin e Bulqizës dhe më pas ka shkuar në një shkollë profesionale, për profesionin e mekanikut. Pyetjes se ç’e shtyu që të marrë këtë vendim, pra për t’u larguar nga Shqipëria, ai na përgjigjet: “Kam mbaruar një gjimnaz me rezultate të kënaqshme. Bujës së madhe se po të mbarosh një universitet e ke të vështirë për të gjetur një vend pune, pasi kemi një numër të madh të atyre që e bëjnë diçka të tillë, unë nuk e bëra diçka të tillë, por përkundrazi fillova një shkollë profesionale. Kam shkuar më shumë se një vit në një shkollë profesionale, emrin e të cilës nuk po e publikoj në qytetin e Durrësit. Pasi e kam mbaruar, jam munduar të qëndroj pranë një servisi, sa për të marrë një praktikë pune. Më pas, duke pasur një kosto të madhe, vendosa që të marrë një lokal timin me qera, në një zonë të Durrësit, por edhe atë e lash, pasi ishte e pamundur të përballoja koston, dhe ajo se çfarë më mbetej mua ishte e papërfillshme”.
Pasi mbaroi shkollën profesionale dhe u mundua të merrte një biznes të tijin me qera, por që nuk i rezultoi i suksesshëm, largohet sërish për në drejtim të Bulqizës, në shtëpinë e prindërve të tij. Si i lindi ideja që të largohet nga Shqipëria O.D rrëfehet: “Ashtu siç unë e thash edhe më sipër, këtu bërtitet me të madhe që t’i tregohet rëndësi e veçantë arsimit profesional, pasi nuk ka zgjidhje tjetër për të ulur nivelin e papunësisë, unë e kam një të tillë dhe ja ku jam i pa punë. Hapsira që të mund të hapësh një biznes të tëndin, në fushën time një ofiçinë është thuajse e pamundur, pasi makineritë kanë një kosto shumë të lartë të papërballueshme për mua dhe familjen time, e kështu nuk të ngelet gjë tjetër veçse të numrosh pllakat e trotuarit”.
Për  O.D, deri tani e vetmja mundësi punësimi ka qenë kamarieri, tek një i afërm i tij në restorant. Në cilin vend do të ikte, O.D shpjegon: “Kam pasur shumë ide në kokë se ku do të doja të shkoja, por duke dëgjuar se në Britani mund të gjesh një punë më kollaj se në vendet e tjera të BE-së, vendosa të shkoj atje. Kam bërë gati ato pak para që më duhen sa për të shkuar deri atje, me shpresën se gjithçka do të më shkoj mbarë”.
O.D nuk është i vetëm, së pari në këtë dëshirë për t’u larguar, por që shumë shpejt mund të bëhet realitet. Në një tavolinë me ne qëndron edhe shoku i tij, i cili ka vendosu që po ashtu si ai të largohet për në drejtim të Britanisë, ku me shumë gjasa, sipas tyre ata mund ta marrin së bashku këtë rrugë.
Si do të largohen, kanë gjetur ndonjë mënyrë, O.D na përgjigjet: “Kam Pasaportën Shqiptare, por më parë e kam konfirmuar nëse e kam në rregull, pasi në media kam dëgjuar disa lajme për problemet me pasaportat. E kam konfirmuar se e kam në rregull. Do të shkoj deri në Francë e nga aty pastaj do të shkoj për në drejtim të Britanisë, me shumë gjasa do të shkoj në këmbë, ose poshtë një kamioni”.
Nëse do të mbërrini në Britani, kush do t’ju pres, keni një person që mund t’ju ndihmoj?
-Po, kam disa shokë të mij, por edhe disa kushërinj. Mjafton që të mbërrij në Britani e ti shpëtoj barrierave, pastaj çdo gjë tjetër do të rregullohet. Në Shqipëri nuk mundem më, unë do të iki…
O.D nuk është i vetmi i ri i cili dëshiron të largohet nga Shqipëria, pasi nuk ka një vend pune, një të ardhme të sigurtë etj., por si ai ka shumë, të cilët përpos që të ishin kthyer në një motorr pune për shoqërinë, janë një grup moshë me dëshirën vetëm për t’u larguar.
intervistë nga ishull.com

Artikuj te ngjashem

Me te fundit