E enjte, 18 Prill, 2024

Reforma në drejtësi, Rama: Bashën e pres deri më 21 korrik

Edi-Rama-1-620x310Kryeministri Edi Rama ka komentuar propozimin e fundit të PD-së lidhur me reformën në drejtësi. Në një dalje për mediat pas mesditës, Rama tha se opozita është në panik nga fshesa e hekurt e reformës në drejtësi.
Rama i konsideroi kërkesat e PD-së në lidhje me këtë reformë si alibi për të bllokuar kompromisin, transmeton shekulli.com.al.
“Alibia e PD-së për rrezikun nga SHBA-të është absurde. PD-ja refuzoi formulën e SHBA-ve dhe BE-së”, tha Rama.
“PD-ja kërkoi 48 orë kohë për të marrë veten dhe për të ndërtuar një alibi të re, këtë herë edhe më absurde se e para. Ka një të vërtetë: përfshirja e partnerëve të Shqipërisë në këtë reformë përmes vetingut është një rrezik i papërballueshëm për pushtetin e korrupsionit mbi drejtësinë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se për të ka qenë e pritshme mungesa e kompromisit nga ana e opozitës.
“E kam ditur që në fillim që do të vinte kjo ditë. Ua kam thënë edhe partnerëve ndërkombëtarë që kur të vijë drafti te pragu i Kuvendit do shohim ç’do shohim. E kam ditur se do të përballeshim me murin e frikës, por nuk më ka shkuar mendja që mbi atë mur do të vareshin fletërrufe kundër rrezikut amerikan. Opozita i ka kërkuar ata si garanci për të mbrojtur drejtësinë nga kthetrat e mia, por tani na del se janë ata kthetrat”, tha ai.
Rama ripërsëriti propozimin e bërë dje nëpërmjet rrjeteve sociale. Ai tha se shumica do të votojë çdo ndryshim të propozuar nga PD-ja, me kushtin që ato të kenë miratimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Unë kam bërë dje një propozim të ri, të cilin do ta përsëris. Ne jemi gati të votojmë më 21 korrik çdo gjë që PD-ja të futë në draftin e reformës, me kushtin që të jetë në përputhje me kërkesat e SHBA-ve dhe Bashkimit Europian”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se maxhoranca ka bërë të gjitha përpjekjet për të shkuar drejt kompromisit me opozitën, por nuk mund të ketë përjashtim të partnerëve ndërkombëtarë.
“Kam një mesazh për shqiptarët: unë dhe bashkëpunëtorët e mi për reformën në drejtësi kemi bërë gjithçka kemi në dorë që reforma të jetë e thellë dhe çliruese si dhe të miratohet në bashkëpunim me opozitën. Por pasi kemi bërë edhe lëshimin e fundit për nenin 88 dhe duke i krijuar kushtet PD-së të vijë në Parlament dhe të votojë, gjendemi përballë një kthese për të përjashtuar partnerët tanë ndërkombëtarë nga procesi”, tha ai.
Në përfundim, Rama përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij duke iu drejtuar kreut të PD-së, Basha.
“E ftoj Bashën nga sot e deri në 21 korrik të më njoftojë për t’u takuar nëse ka ndonjë të re që konsiderohet e pranueshme nga SHBA-të dhe BE-ja. Ne do të votojmë pa kërkuar ndryshimin e asnjë presjeje nëse partnerët ndërkombëtarë bien dakord”, përfundoi ai.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit