E diel, 5 Maj, 2024

Nesër hyn në fuqi “Kushtetuta e re”, ngërçi ligjor dhe çfarë do të ndodhë me institucionet

115Nesër bëhen 15 ditë, nga data kur Presidenti i Republikës dekretoi ndryshimet kushtetuese që Kuvendi miratoi në unanimitet në orën e parë të 22 korrikut. Pra duke filluar që nga dita e enjte “Kushtetuta e re”, do të quhet e vlefshme. Kjo pasi ligji i ri për ndryshimet kushtetuese është botuar tashmë edhe në Fletoren Zyrtare, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe jetë reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Presidenti dhe ngërçi ligjor
Menjëherë pas hyrjes në fuqi, puna do të nisë me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet të ngrihet brenda 5 ditëve, nga nesër. Për këtë proces është i ngarkuar presidenti i vendit i cili zgjedh me short anëtarët. Por duket se në këtë pikë ka një ngërç për zgjidhjen e të cilit presidenti ka thirrur që dje një tryezë me përfaqësues të grupeve parlamentare të partive. Brenda datës 16 gusht, presidenti duhet të propozojë 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, mirëpo amendamenti kushtetues thotë, se kriteret e emërimeve dhe propozimeve, duhet të bëhen sipas ligjit specifik, i cili nuk është miratuar ende në Kuvend.
Kjo është edhe arsyeja pse presidenti nuk mund të ushtrojë dot funksionin e tij për emërimet e anëtarëve të këshillit, pasi nuk ka të përcaktuar me ligj kriteret që gjenden në paketën e 7 ligjeve, të cilat presin për tu miratuar. Edhe në variantin më optimal, pra nëse 7 ligjet miratohen në seancën më të afërt, sërish do të duhen 15 ditë që ato të hyjnë në fuqi, duke tejkaluar kështu afatin kushtetues për emërimet në këshill që është data 16 gusht.
13940899_10210192083668091_1854160665_n
Emërimet në KLGJ dhe KLP
Sa i përket marrëveshjes së minutave të fundit mes palëve për KLGJ (Këshilli i Lartë i Gjyqësorit) dhe KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), formula parashikon që aplikimet vijnë pranë sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit nga Avokatia, pedagogët e fakultetit të drejtësisë dhe shkollës së Magjistraturës dhe nga shoqëria civile, për 5 anëtarë jo gjyqtarë dhe 5 jo prokurorë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, verifikon brenda dhjetë ditësh nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale dhe përgatit listën. Filtri kryesor është ai nënkomisionit me 5 anëtar, ku tre janë të shumicës e 2 të pakicës. Ata që sekretari i përgjithshëm i Kuvendit ka përjashtuar nga lista, mund të rikthehen vetëm nëse 4 nga 5 anëtarët e komisionit votojnë pro tyre. Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me të paktën 4 vota. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidati përzgjidhet me short. Të përzgjedhurit përmblidhen në një listë të vetme dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Kuvendi mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve.
Nëse lista rrëzohet, procedura vazhdon në nënkomision sipas procedurës së parashikuar në pikën 7 të këtij neni, por jo më shumë së dy herë. Në rast se kandidatët nuk përzgjidhen pas tri raundeve, përzgjedhja e tyre bëhet me short.  Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur. Duhet theksuar se për emërimet e para në KLGJ e KLP verifikimi i kandidatëve do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Sa i përket procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, palët kanë reflektuar marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e komisionerit Hann mbi “Hibridin” e mbështetur nga ndihmës sekretarja e shtetit Nuland. Operacioni është vendosur në Kushtetutë, por jo me rol vendimmarrës./Syri.net

Artikuj te ngjashem

Me te fundit