E shtunë, 20 Prill, 2024

SHERM: NDËRTIMI I HEC-EVE NDRYSHON RRËNJËSISHT EKOSISTEMIN DHE HABITATIN E ZONËS KU NDËRTOHET

kjo-1-620x420
Intervistë nga Geri Emiri – Ishull.com
Mjedisi në Shqipëri prej vitesh është një temë e nxehtë, pasi institucionet shtetërore nuk arrijnë të frenojnë ndotjen që shkaktohet ndaj tij nga subjektet private, që për të ulur kostot dëmtojnëBiodiversitetin.
Për të sensibilizuar njerëzit dhe ndaluar ndotjen e mjedisit janë ngritur shumë shoqata dhe një prej tyre është Shoqata e Ekspertëve të Rinj Mjedisor (SHERM), e krijuar në vitin 2014 dhe që ka dhënë, e vijon të japë një kontribut të çmueshëm në mbrojtjen e Biodiversitetit dhe ndërgjegjësimin e njerëzve mbi ruajtjen e mjedisit.
SHERM drejtohet nga inxhinieri i mjedisit, z. Danjel Bica, i cili na informon për veprimtarinë e shoqatës dhe disa prej problemeve mjedisore në Shqipëri dhe pasojave që ato sjellin.

13012680_1164233083608729_1881472866468448632_n
Në foto: Danjel Bica

Në fokus të shoqatës suaj janë të rinjtë dhe edukimi i tyre mbi kujdesin ndaj mjedisit. Sa të interesuar janë ata?
Shoqata e Ekspertëve të Rinj Mjedisor (SHERM) ka kryer aktivitete me qëllim edukimin mjedisor,  në shkollat e rrethit Bulqizë, ku theksoj se jam takuar drejtpërdrejt me rreth 350 të rinj.
Takimet janë kryer në kuadër të projektit Econord  dhe Achieve, të financuara nga Delegacioni Europian. Ndërgjegjësimi është në rritje dhe dita-ditës po mer kthesë të rëndësishme kujdesi ndaj mjedisit.
Shoqata e Ekspertëve të Rinj Mjedisor (SHERM) e ka shtrirë veprimtarinë vetëm në zonën e Bulqizës apo edhe më gjerë?
SHERM aktualisht selinë e saj e ka në Bulqizë, por është shoqatë kombëtare, e cila e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit, me bashkëpunime dhe rrjetëzime me shoqatat e tjera lokale dhe kombëtare.
A ka antarësime të reja në shoqatë?
Antarësime të reja po vijnë pothuajse çdo ditë nëpërmjet faqes në Web të SHERM, ku qëllimi i rregjistrimit online është rritja e ndërveprimit midis nesh dhe për të komunikuar në mënyrë të vazhdueshme për mbështetjen e çështjeve mjedisore dhe projektet që do të organizojmë së bashku.
Shoqata juaj e ka denoncuar muaj më parë prerjen e pyjeve në mënyrë të paligjshme. Mendoni se moratoriumi 10 vjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve po funksionon?
Ne kemi denoncuar shumë raste të prerjes së pyjeve në Ekonominë Pyjore të Liqenit të Zi dhe në Ekonominë Pyjore në Sheshe Bulqizë, dhe pothuajse në të gjithë zonën e Bulqizës, ku SHERM bashkëpunoi për organizimin e protestës së dytë të banorëve në Fushë-Bulqizë, për dhënien me koncension 10 vjeçar të prerjes së pyjeve një firme private dhe nga reagimi u bë i mundur anulimi i koncesionit të dhënë nga Ministria e Mjedisit.
Moratoriumi 10 vjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve efekt ka pasur, por jo aq sa pritej. Pra është ulur ritmi i prerjes së paligjshme të pyjeve, por që në të vërtetë fenomeni është ende i pranishëm.
A ka interes për rritjen e bimëve mjekësore?
Interesi për bimët mjekësore është i lartë, sidomos në zonën e Ostrenit, Trebishtit, e Klenjës (Bulqizë),  ku banorët janë të lidhur më shumë me këtë veprimtari, si pasojë e vafërisë së madhe që ka ajo zonë dhe sigurojnë të ardhurat e tyre. Interesi është vetëm në mbledhjen e bimëve mjekësore aromatike (BMA), se sa për rritjen dhe kultivimin e tyre, ku interesi nuk është i lartë sepse ato kanë kosto dhe duan mbështetje finaciare.
A rrezikohen speciet e rralla në zonën e Bulqizës nga gjuetia e paligjshme?
Gjuetia e paligjshme i rrezikon speciet e rralla në të gjithë vendin dhe jo vetëm në Bulqizë, të cilat janë të kërcënuara pasi dëmtimet në mjedis kanë qenë katastrofike edhe pse po shkojnë drejt degradimit ose shfarosjes, siç është kaprolli, derri i eger, thëllënza, grifsha etj., dhe deri te Rrëqebulli i Ballkanit.
SHERM ka bashkëpunuar ngushtë me  Shoqatën e Ruajtjes dhe  Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri(PPNEA), dhe kemi denoncuar së bashku shkeljen e moratoriumit të gjuetisë.
Çfarë pasojash sjell për Biodiversitetin ndërtimi i Hec-eve, duke devijuar rrjedhën e lumenjve dhe përronjve?
Ndërtimi i HEC-eve ndryshon rrënjësisht ekosistemin dhe habitatin e zonës ku ndërtohet dhe çon në humbjen e tij. Në ndërtimin e tyre përfshihet gërmimi i tokës, prerja e pyjeve përreth, zhdukja e bimësisë, ku në atë zonë ndikimi i erozionit është i lartë dhe kemi plotësisht humbjen dhe ndryshimin e Biodiversitetit.
Devijimi i rrjedhjës së ujit çon në humbjen e diversitetit ujor, ku mund të zhduken peshqit që janë të rrallë, siç është trofta në zonën e Bulqizës.
Gjithashtu devijimi i rrjedhjës së ujit ndikon edhe në tharjen apo vaditjen e tokave. Për këtë SHERM ka bashkëpunuar me Qendrën Rajonale të Mjedisit (Rec SHQIPËRI) për ndërtimin e Hec-eve në Liqenin e Zi, liqenin e Sopeve, të Tërnovës, dhe të gjithave që ndërtoheshin në rrethin Bulqizës, ku në bashkëpunim me shoqata të tjera që operojnë në Shqipëri u bë i mundur studimi i gjithë vendit tonë dhe dolën në studimin me temë: “Robërimi i Ujit, nga ndërtimi i HEC-ve të vegjël”, ku së bashku me studimin dhe problemet e gjetura të gjitha shoqatat nënshkruan një peticion që ja dërguan kryeministrit të vendit, për ndaljen e ndërtimit të rreth 501 HEC-eve.
Çfarë mund të bëhet më shumë për ruajtjen e “Zonave të mbrojtura”?
Për zonat e mbrojtura duhet të bëhet një studim i mirëfilltë për veçoritë e tyre dhe karakteristikat që ato ofrojnë, duke i shfrytëzuar për rritjen numrit të turistëve, duhet të botohen hartat dhe guidat turistike dhe të vendoset një sinjalistikë e rregullt që tregon gjatësinë dhe rrugën për në zonat e mbrojtura dhe shtrijen gjeografike të tyre.  Si dhe të vendosen roje për mbrojtjen e tyre nga zjarret dhe preja e paligjshme.
Cilat janë pasojat mjedisore që sjell djegia e mbeturinave në qytetin e Bulqizës dhe jo vetëm?
Po përmendim një sërë ndikimesh negative mbi mjedisin, si psh: degradimi i tokës si pasojë e kimikateve, ndotja e ujërave nëntokësorë që përbën problem për shëndetin e njerëzve dhe së fundmi ndotja e ajrit nga djegia e tyre. Duhen marrë masa për parandalimin e ndotjes së mjedisit nga mbetjet, përmirësimin e kushteve mjedisore që lidhen me cilësinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut, uljen e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës. Për këtë zonë nevojiten: Zhvillimi i planit të mbetjeve me objektiva strategjike që të përcaktojnë qartë aktivitetet dhe rezultatet e pritura.
Duhet të përcaktohen planet përfundimtare për depozitimin, trajtimin e mbetjeve veçanërisht nëse lidhet me një zonë tjetër, si në rastin konkret. Të përgatitet një plan funksional për vendndodhjen, metodat e planifikuara për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve, tonazhet e llogaritura ditore, jetëgjatësinë e llogaritur të vendndodhjes dhe të çdo mbetjeje, dhe një deklaratë sesi do të monitorohet vendi pas mbylljes, si dhe një plan menaxhimi për mbetjet e rrezikshme, ku të përfshihet një plan riparimi për zonat e theksuara.
Çfarë aktivitetesh pritet të zhvilloj në të ardhmen Shoqata e Ekspertëve të Rinj Mjedisor (SHERM)?
SHERM po zbaton projektin me temë “Mbrojtja e llojeve endemike të rrezikuara të florës në rrethin e Bulqizës”, në kuadër të projektit Eco-Nord të implementuar nga Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale (ALCDF) dhe të financuar nga Delegacioni Europian.
 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit