Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka dhe i mandatuari i grupit të Alibeajt, Gazmend Bardhi janë takuar paraditen e sotme në përpjekjen e parë për të bashkuar partinë dhe për të dalë me një kandidat në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Takimi ka nisur pak pas orës 11 dhe po zhvillohet në një prej lokaleve përballë Parlamentit.
I pari në takim ka mbërritur Edi Paloka, i cili i është drejtuar me ironi mediave të shumta që ishin të pranishme për të filmuar negociatat.
“Sikur t’i gjimoni dhe tenderave të qeverisë kaq sa po na ndiqni ne. Bravo ju qoftë”, iu drejtua Paloka gazetarëve.
Një ditë më parë Gazmend Bardhi foli në një intervistë në TVSH lidhur me negociatat e ditës së sotme dhe për faktin se nga grupi i Berishës është kërkuar që ata të tërheqin padinë në gjykatë.
“E kam thënë më parë, edhe zoti Berisha e tha, që ne hyjmë në këto negociata pa kushte. Nëse do të vendosim kushte dhe do të qendrojmë peng i konflikteve apo debateve, mendimeve të ndryshme që kemi patur gjatë këtij viti, e sigurtë është që nuk do të gjejmë dot një rrugë që na bashkon, një rrugë që na siguron bashkëpunim të sinqertë të demokratëve në njësitë vendore për të qenë konkurues dhe për të fituar zgjedhjet. Zoti Berisha nuk ka vendosur kushte, nuk ka pranuar kushte, mesa ka pohuar publikisht. E njëjtë ka qenë edhe qasja jonë, nuk vendosim dhe nuk pranojmë kushte. E rëndësishme në këtë proces është që bisedimet të jenë të sinqerta, të kenë si qëllim vetëm mundësinë që demokratët të fitojnë zgjedhjet lokale, pa e ngatërruar me çështje të tjera që na ndajnë prej kohësh. Nuk ka ndodhur asgjë që secila palë të ndryshojë qendrim për çështje të caktuara”, u shpreh Bardhi.