Pas ngjarjeve tragjike të vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave, Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Klotilda Bushka, u është drejtuar disa institucioneve publike, duke iu kërkuar informacionet përkatëse me qëllim verifikimin paraprak të situatës.
Në dokumentet e publikuara nga Kuvendi, bëhet me dije se Kuvendi kërkon informacion nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, mbi masat e marra për verifikimin e përgjegjësive të mundshme disiplinore të magjistratëve në prokurori e gjykata.
Po ashtu edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisē së Drejtësisë i kërkohet informacion për krijimin e bazës së të dhënave mbi vendimet gjyqësore për rastet e dhunë dhe vrasjes së grave.

NJOFTIMI NGA KUVENDI
Komisioni i Ligjeve i Kuvendit kërkon informacion nga institucionet publike mbi ngjarjet tronditëse të vrasjes dhe plagosjes së grave. Pas ngjarjeve tragjike të vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave, në fillim të muajit Mars, Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e Kuvendit, znj. Klotilda Bushka, në funksion të ushtrimit të kompetencës monitoruese të Komisionit për zbatimin e legjislacionit dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, u është drejtuar disa institucioneve publike, duke iu kërkuar informacionet përkatëse me qëllim verifikimin paraprak të situatës./btvnews.al
