E hënë, 6 Maj, 2024

As te Barcelona as te milionat e sheikëve në Arabinë Saudite, Messi zyrtarizon të ardhmen

Lionel Messi ka zyrtarizuar të ardhmen e tij, që nuk do të jetë përsëri te Barcelona, por as te milionat e sheikëve në Arabinë Saudite. Ai ka pranuar ofertën që i ka bërë David Beckham dhe do të firmosë për Inter Miami në MLS. “Nuk kthehem te Barça, do të shkoj te Inter Miami”, theksoi ai.

“Kisha shumë dëshirë që të mund të kthehesha te Barcelona, por nga ana tjetër, pas asaj që përjetova dhe për largimin që përjetova, nuk desha që të kthehesha përsëri në të njëjtën situatë. Që të shpresoja çfarë do të ndodhte dhe që të lija të ardhmen time në dorë të tjetërkujt.
Edhe pse dëgjova që La Liga ka pranuar gjithçka dhe që gjithçka ishte gati që të kthehesha, njëkohësisht mungonin shumë gjëra të tjera që duhej të ndodhnin. Dëgjova që duhej të shitnin lojtarë, të ulnin rrogat e disa të tjerëve dhe në të vërtetë nuk desha që të kaloja këtë situatë dhe të bëhesha pjesë e këtyre gjërave”, tha argjentinasi duke justifikuar vendimin për të mos u kthyer te Barcelona.

“Në të vërtetë kam folur shumë pak me presidentin Laporta, një apo dy herë. Me Çavin kam më shumë komunikim, që kur u kthye në klub shumë më tepër dhe vazhdimisht. Folëm për mundësinë që të kthehesha. Kishim shumë dëshirë që të realizohej, folëm nëse do të ishte e mirë për ekipin dhe për të. Nuk kemi folur për para, asnjëherë nuk ishte çështje e tillë. Nuk ka pasur kurrë një ofertë zyrtare, të firmosur, pasi nuk dinin se sa mund të ofronin. Po të ishte për para, do të shkoja në Arabi. Ishin shumë para dhe e vërteta është që vendimi im ështe për një anë tjetër, jo për para.

Në të vërtetë, sinqerisht nuk di të them nëse Barcelona ka bërë maksimumin apo jo Unë dija për atë që flisja me Çavin, më shumë se me të gjithë.. Tani flitet edhe për leje nga Liga. Por po e përsëris që nuk ishte vetëm kjo. Mungonin shumë gjëra. Sot për sot, klubi nuk është në gjendje të thotë 100% që mund të kthehem. Dhe është e kuptueshme për shkak të situatës së klubit’, tha Messi ndër të tjera në intervistën e tij.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit