E diel, 19 Maj, 2024

Drafti i propozuar nga Rama për Asociacionin, ambasadori britanik: Kosova të dëgjojë këshillat e miqve dhe partnerëve të saj

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të dëgjojë këshillat e miqve dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë lidhur me situatën në veri të shtetit.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abbott përsëriti qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar, që Kosova të mos insistojë që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të punojnë nga ndërtesat komunale.

Ne po vazhdojmë të kërkojmë shtensionim të situatës. Ne nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët e komunave të punojnë nga zyrat komunale dhe po ashtu nuk besojmë se ka nevojë që njësitë speciale policore të veprojnë si roje për ndërtesat komunale. Kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë gjetkë. Shpresoj shumë që në ditët në vijim të shohim një ndryshim. Do të shohim propozime, shpresoj që do të shohim më shumë bashkëpunim ndërmjet agjencive të sigurisë”, tha ai.

Ambasadori u pyet edhe për draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por tha se ende nuk e lexuar.

Kjo është një kohë e vështirë dhe mendoj se duhet të jetë krejtësisht normale që Kosova të dëgjojë këshillat e miqve dhe partnerëve të saj. Shqipëria është një vend që është shumë afër Kosovës. E dimë që në javët e ardhshme do të ketë bisedime ndërqeveritare. Jam i sigurt se do të ketë shumë çështje në tryezë. Këshilla ime për Qeverinë është që t’i dëgjojë të gjitha, të gjejë rrugën e duhur përpara, por të gjejë një rrugë që tregon mirëkuptim për shqetësimet e miqve të saj”, tha ambasadori./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit