E premte, 29 Mars, 2024

Berisha pas tensioneve në PD: Me të gjithë deputetët jam gati të kem çdo lloj diskutimi.

Sali Berisha ka deklaruar sot se “me përjashtim të dy personave që kanë lidhje të tmerrshme krimi me Edi Ramën, me të gjithë deputetët e tjerë jam gati që kem çdo lloj debati, diskutimi dhe mirëkuptimi”.

Ai tha se ata me një akt themelor, mbështetën kandidatët e primarëve, de facto mbështetën PD-në dhe se gjithçka përcaktohet nga anëtarësia e partisë, duke theksuar se i qëndron me korrektesë statutit.

“Këtu ata investuan në partinë që i përkasin. Ndaj tyre, PD është plotësisht e hapur. Jo që nuk bëj një hap pas, por bëj një hap para, unë i ftoj ata që të ulen të diskutojnë, të vendosin për më të mirën për PD-në, për opozitën, për të ardhmen e vendit.
Gjithçka përcaktohet nga anëtarësia e partisë. Ne kemi një statut më demokratik që mund të ketë sot. Ai statut ka të gjitha hapësirat për çdo iniciativë të anëtarëve të saj. Unë i qëndroj me korrektesë statutit. Nuk ndërtohet partia mbi bazën e dëshirave, por mbi bazën e rregullave, që respektojnë liritë dhe të drejtat e anëtarëve të saj. Ka dy përcaktime statusore, njërën që kur kryetari humbet zgjedhjet lokale, votëbesohet. Nuk ka përcaktim aty farsë elektorale apo jo, por zgjedhje. Dhe e dyta, po humbe zgjedhjet e përgjithshme, ai largohet”, tha Berisha.

Ai theksoi se asnjë lloj përcaktimi tjetër jashtë kësaj, nuk i shërben PD-së dhe opozitës.

“Ju nuk duhet të harroni se Shqipëria është vendi në të cilin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, u krye një grusht shteti kundër opozitës shqiptare. Me qëllimin e vetëm, për të forcuar pushtetin mafioz të Edi Ramës dhe shkatërruar opozitën. Kjo luftë nuk filloi me Sali Berishën, të jem i sinqertë, kjo luftë filloi që në vitin 2015 me përpjekjet më të paimagjinueshme për ta përjashtuar opozitën nga të gjitha proceset kryesore në mënyrat më diabolike.
Vazhdoi me kontraktimin e McGonigalit në një kohë kur ishte në detyrë, me angazhimin e Lou Bladel, Marko Rossinit, me ndikimin e fuqishëm të George Soros, Aleksit, etj. Të gjitha këto janë përpjekje për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Ju nuk e harroni kur Lulzim Basha, i akuzuar nga SHBA për financime ruse, përfaqësuesi i asaj qeverie, bënte gjithçka për ta mbajtur në krye të PD. Sepse ai është pengu i Edi Ramës. Mënyra më efiçiente për të shkatërruar një komb është të shkatërrosh opozitën”, tha Berisha.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit