E premte, 17 Maj, 2024

Familja Kika nga Valikardha e Bulqizës në mëshirë të fatit

Kjo është banesa e familjes së Lek Kika nga fshati Valikardhë i Bulqizës.

Në këtë banesë gati në shembje jetojnë katër anëtarë, me frikën se nga momenti në moment mund t’i zërë brenda.

Lek Kika tregon se banesa e tij është dëmtuar nga tërmetet që përfshin vendin tonë në vitin 2019 dhe në vitin 2021.

Sipas tij, dëmi më i madh është shkaktuar nga lëkundjet e tërmetit të Tetorit të vitit 2021, ku epiqendra ka qenë shumë afër.

Kryefamiljari Lek Kika thotë se vetë është i pafuqishëm ekonomikisht të ndërtojë një banesë të re. ai kërkon që Bashkia të dërgojë një komision tjetër për vlerësimin e dëmit, pasi komisioni i parë e ka nxjerrë vlerën 150 mijë lekë të rinj dhe është kompensuar me vetëm 80 mijë lekë të rinj.

Me këto para, thotë Lek Kika, ai nuk mund të bëjë asgjë, pasi shtëpia ka nevojë të ndërtohet nga fillimi. Katër anëtarët e familjes Kika jetojnë në këtë banesë e cila nuk ka asnjë siguri për jetën e tyre, pasi nuk kanë ku të strehohen sepse nuk kanë marrë as çadër. Apeli i tyre është për të gjithë që t’i ndihmojnë sa ende nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi pasi banesa mund të shembet dhe t’i zërë brenda.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit