E hënë, 20 Maj, 2024

Arrestohet prokurori Xhevahir Lita, kreu Operacionales Oltion Bistri dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka

Prej orëve të mbrëmjes të së mërkurës, Prokuroria e Posaçme po zhvillon një operacion të gjerë, që deri më tani ka çuar në pranga të paktën 6 persona. Mes tyre sipas gazetares së Klan News, Glidona Daci, janë edhe zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe një biznesmen.
Gjithnjë sipas informacioneve të deritanishme, në pranga kanë rënë, ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka.

Mes të arrestuarve po ashtu është edhe Astmer Bilali, i arrestuar në 2018-n si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Paraprakisht raportohet se mbi ta rëndojnë vepra të ndryshme penale, si shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale dhe grup i strukturuar kriminal.

Arrestimet e tyre, sipas gazetares Glidona Daci, kanë ardhur pas zbërthimit të aplikacionit “Sky” nga autoritetet franceze dhe SPAK-ut i janë vënë në dispozicion një sërë dokumentesh provash dhe faktesh që i lidhin ata drejtpërsëdrejti me disa vepra të ndryshme penale.

Sipas gazetares janë të paktën 15 urdhërarreste që lidhen me këtë operacion të shtrirë në disa qytete.

Një reagim për këtë operacion e pati Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se janë arrestuar “eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin”.

Oltion Bitri ka mbajtur në të shkuarën postin e drejtorit të policisë së Durrësit e Lezhës.

Xhevahir Lita e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.

Ndërsa emri i biznesmenit Pëllumb Gjoka është përmendur në të shkuar nga kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit, teksa fliste për rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit në Shkodër, e akuzonte Gjokën si një prej personave që ka mbajtur “nën pushtim” qendrat e votimit në Velipojë./btvnews.al

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit