E enjte, 16 Maj, 2024

Buxheti arkëton 460 milionë euro më shumë për 8 mujorin, efekti kryesor nga taksat mbi pagën, fitimet e bizneseve e të ardhurat personale

Në buxhetin e shtetit janë arkëtuar 425 miliardë lekë për 8 mujorin e këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Financave. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me +48.5 miliardë lekë ose +12.9% më shumë.

Ecurinë më të mirë e kanë pasur tatimet, të cilat janë arkëtuan 35.3 miliardë ose 18.4% më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar. Efektin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë tatimi mbi fitimin (+10.9 miliardë lekë, +36%), Tatimi mbi të ardhurat personale (+8.7 milardë lekë ose 28.4%), TVSH (+5.9 miliardë lekë, +23.8%).

Por, efektin më të lartë në rritjen e të ardhurave e kanë dhënë taksat mbi pagën, si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale e maksimale, në administratën shtetërore dhe tek bizneset në përgjithësi. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), ishin 13.7 miliardë lekë ose 17.6% më shumë se 8 mujori 2022.

Ndërsa të ardhurat janë rritur ndjeshëm, buxheti është treguar më i kursyer me shpenzimet. Shpenzimet e përgjithshme publike, për 8 – mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 377.4 miliardë LEK me një realizim në 92.8 përqind të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë +4.2 përqind më të larta ose rreth +15.1 miliardë LEK më shumë.

Si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave me ritme më të larta sesa shpenzimet, buxheti ka kursyer për periudhën janar-gusht. Niveli i sufiçitit për periudhën 8 – mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 47.83 miliardë LEK nga rreth 8.07 miliardë lekë sufiçit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i sufiçitit rezultonte në masën prej rreth 14.36 miliardë LEK.

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 8 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 425 miliardë Lekë ose 102.5 % të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me +48.5 miliardë lekë ose +12.9% më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 368 miliardë lekë, 32.9 miliardë ose 9.8% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, si dhe 12.7 miliardë ose 3.6% më shumë se plani 8-mujor për vitin 2023.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 141.4 miliardë lekë, 2.4 miliardë lekë ose 1.7% më pak se 8 mujori 2022, si dhe 10 miliardë lekë ose 6.6 % më pak se plani i të ardhurave doganore për 8 mujorin e vitit 2023.

Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 95.3 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 5.2 % më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 8.8 miliardë ose 8.5% më pak se plani për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 38.2 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë ose 9.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, si dhe 343 milionë lekë ose 0.9% më pak se plani i akcizës për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2 miliardë lekë, 1 miliardë ose 33.5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 63.1% kundrejt planit për 8-mujorin 2023.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.9 miliardë lekë, 400 milionë lekë ose 7.3% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe realizim në masën 106.6% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 8 mujorin 2023 u realizuan në masën 226.6 miliardë lekë, 35.3 miliardë ose 18.4% më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, si dhe 22.6 miliardë lekë, ose 11.1% më shumë se plani i 8 mujorit 2023.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 30.9 miliardë lekë, 5.9 miliardë ose 23.8% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe 3.5 miliardë ose 12.8% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 8 mujorin 2023. Rimbursimet për periudhën 8 mujore 2023 janë 12.3 miliardë lekë, 764 milionë lekë ose 6.6% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe 556 milionë lekë ose 4.7% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 40.9 miliardë lekë 10.9 miliardë lekë, ose 36.2% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe 9.4 miliardë lekë ose 30% më shumë se plani i 8 mujorit të vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 39.3 miliardë lekë, 8.7 milardë lekë ose 28.4% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe 5.9 miliardë ose 17.6% më shumë se plani i 8 mujorit 2023.

Taksat nacionale, për peridhën 8 mujore 2023 u realizuan në masën 24.3 miliardë lekë, 3.9 miliardë lekë ose 13.8% më pak se 8 mujori 2022, si dhe 5.3 miliardë lekë ose 18% më pak se plani për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 91.1 miliardë lekë, 13.7 miliardë lekë ose 17.6% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe realizim 111.1 % të planit për 8 mujorin 2023.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën tetë mujore të vitit 2023, arritën në rreth 377.4 miliardë LEK me një realizim në masën 92.8 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 4.2 përqind më i lartë ose rreth 15.1 miliardë LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 8 mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 54.1 përqind të planit vjetor.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98.2 përqind dhe 74.4 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 61.4 përqind dhe 33.6 përqind të tij.

Shpenzimet korente për periudhën 8 mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 335.6 miliardë LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10.6 përqind më i lartë ose 32.2 miliardë LEK më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 8 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 41.6 miliardë LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 3.1 përqind më i ulët ose rreth 1.3 miliardë LEK më pak.

Niveli i sufiçitit për periudhën 8 mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 47.8 miliardë LEK nga rreth 8.07 miliardë LEK suficit i planifikuar për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 233.1 përqind më i lartë ose rreth 33.4 miliardë LEK më shumë. /Monitor

Artikuj te ngjashem

Me te fundit