E premte, 31 Maj, 2024

Dhuna në Kuvend, reagon grupi opozitar

Sali Berisha dhe deputetët Monika Kryemadhi e Gazment Bardhi kanë reaguar pas tensioneve të larta në këtë seancë plenare.

Berisha i ka cilësuar zhvillimet e seancës së sotme parlamentare akte të turpshme antiligjore dhe anti kushtetuese.

Përmes një prononcimi për mediet nga oborri i Kuvendit, Berisha u shpreh se bllokimi i Komisioneve Hetimore parlamentare nga mazhoranca janë një përpjekje e kryeministrit Rama për të fshehur lidhjet e ministrave të kabinetit të tij me krimin e organizuar.

Nga ana tjetër, deputetja Kryemadhi tha se demokracia dhe toleranca janë të cenuara në vendin tonë.

“Të jem e sinqertë në Shqipëri anormalja është kthyer në normale dhe normalja në anormale, nuk më vjen mirë kur shoh përplasje të tilla, demokracia dhe toleranca janë të cenuara, kam kuptuar se biznesi më fitimtar nuk është ndërtimi por fake news, ndërtohen narrativa të tilla, projektligje. Sot situata e lirisë dhe e të drejtave të njeriut është në një stad që nuk përfshihet në asnjë sistem. Shqipëria është republika e drogës, ku në krye ka një kryeministër, të gjitha institucionet janë kthyer në një institucion të kryeministrit. Sa më dobët të jetë opozita aq më diktatorial do të jetë Rama, do të jetë e vështirë për opozitën dhe mediat”, tha Kryemadhi.

Sa i përket arrestimit të Jamarbër Malltezit ajo tha: Për mua Jamarbër Malltezi është i burgosur politik, Berisha është një i përndjekur politik, nuk i hoqi njeri pasaportën Berluskonit. Loja politike që bëhet është e shëmtuar, janë 16 pronarë dhe pse duhet të arrestohet njëri dhe jo të tjerë?!

Për dhunën në Kuvend, reagoi edhe Bardhi, i cili u shpreh se janë marrë vendime për të asgjësuar opozitën dhe se kjo revoltë është si pasojë e mohimit të çdo të drejte të opozitës.

“Një kërkesë legjitime për të nxjerrë Gardën Republikës, nisi dhe provokoi situatën, prej javësh, maxhoranca e ka futur kuvendin në një ngërç, me veprim të pa precedenta duke nisur nga kryetarja e Kuvendit, deri në votime antikushtetuese, kanë marrë vendime për të asgjësuar opozitën. Beteja jonë e vetme është që parlamenti t’i kthehet rregullave, në atë moment dua të siguroj çdo qytetar që Kuvendi t’i kthehet normalitetit. Kjo revoltë është si pasojë e mohimit të çdo të drejte të tyre. E kam thënë unë në fillim që maxhoranca po detyron deputetët e opozitës në akte ekstreme, nuk jemi të gatshëm t’ja dhurojmë mandatet Edi Ramës, do të bëjmë çdo betejë me mjete demokratike. Ditën kur në vendosim t’ja dhurojmë mandatet do të dalim para qytetarëve dhe do t’i japim mandatet Edi Ramës. Do mbrojmë mandatet tona që na i kanë dhënë qytetarët”, tha Bardhi.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit