E shtunë, 27 Korrik, 2024

Rama me Diasporën: Sot shqiptarët më lart se asnjëherë. Dita e Alfabetit, festë kombëtare

Të bërë bashkë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Lugina e Preshevës, por dhe kudo ku jetojnë në Diasporë, shqiptarët që morën pjesë në samitin e tretë të Diasporës ishin të një mendje, që asnjëherë më shumë se sot faktori shqiptar nuk ka qenë në pozita më të mira.

Po në një mendje janë kur thotë se asnjëherë nuk mjafton ajo që politika duhet të bëjë për t’i kthyer borxhin që i ka Diasporës, detyrim që u artikulua nga Presidenti Begaj.

“Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën”, tha Begaj.

Një nga kërkesat e vazhdueshme të përfaqësuesve të Diasporës, është e drejta për të votuar që vazhdon të jetë një e drejtë e paushtruar në Shqipëri, ndërsa në Kosovë ajo do të jetë realitet në zgjedhjet e ardhshme thotë Presidentja Osmani.

“Mërgata jonë më në fund do ta ketë të drejtën të votojë edhe në ambasadat e konsullatat tona”, tha Osmani.

I zgjedhur si kreu i Këshillit Koordinues për Diasporën, shqiptaro-amerikani me shumë kontribute Mark Gjonaj, mendon se kërkohet një strategji e qartë për të bashkuar shqiptarët, e që beson që mund të bëhet vetëm nga 2 krerët e qeverive të Tiranës e Prishtinës.

“Bëjmë kërkesë që të hyni në një dhomë e të mos dilni prej dhomës derisa ta bëni një plan e dilni me mesazhin që ka nevojë populli jonë”, tha Gjonaj.

Për Ramën që tregoi se nuk i injoron besëtytnitë, tre njëshat e 111 vjetorit të Pavarësisë mund të jenë ogur i mire për të realizuar atë që Maksimilian Lamberci shkruante:

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të jetë e plotë vetëm atëherë kur shqiptarët do të lejohen ta shkruajnë fjalën e tyre”, tha Rama.

Momenti është tani sipas Ramës për shkak se shqiptarët drejtojnë ose janë faktor kyç në qeverisje në 4 shtete të Europës Juglindore, por dhe për shkak se figura të mëdha të artit e kulturës e sportit kanë rritur imazhin botëror të vendit.

“Tek prisnim të piqeshin kushtet na u kalbën dëshirat shkruante ironikisht Faik Konica nga mërgimi. Për fat të mirë këtë herë jo vetëm kushtet, por edhe dëshirat janë mjaftueshmërisht të pjekura”, tha Rama.

Kombëtaren e futbollit e sheh si shembullin më të prekshëm të asaj çfarë bëjnë shqiptarët kur bashkohen dhe besojnë tek ëndrra e tyre.

“Çfarë mund të bëjmë kur kemi një strategji dhe një qëllim për të fituar”, tha ai.

Produkti konkret që arriti ky samit dy ditor i Diasporës ishte vendimi i qeverisë shqiptare për ta shpallur 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit festë kombëtare, kërkesë e artikuluar dhe nga Presidenti Begaj e që Rama propozon ta zbatojë dhe Kosova.

“Të jetë një ditë feste kombëtare. Unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do t’ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet, unë e dëgjoj presidentin për veten time”, tha Rama.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit