E shtunë, 27 Korrik, 2024

SPAK kërkoi heqjen e lirisë së Sali Berishës, reagon ish-kryeministri

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka reaguar pasi Prokuroria e Posaçme i dërgoi shkresë Kuvendit ku kërkoi heqjen e imunitetit të tij.

Berisha deklaroi se është 100% dakord që nuk duhet të ketë mbrojtje për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

“Gabuan rëndë ata që menduan se nuk paraqitem, por kishim të bënim me shkruarje të Kushtetutës”, tha ish-kryeministri, duke theksuar se ai nuk u paraqit në Gjykatë pasi refuzoi të zbatonte një vendim antikushtetues.

Ai theksoi se është i gatshëm ta votojë ligjin për heqjen e imunitetit ndaj ligjvënësve.

Sali Berisha: “Në vitin 2012 Sali Berisha ka dërguar në Parlament abrogimin nga Kushtetuta të çdolloj mbrojtje të deputetëve të Kuvendit, Ky amendament i qeverisë është kundërshtuar nga Rama dhe është lejuar vetëm hetimi i deputetëve. Jam i gatshëm, ta votoj vetë këtë ligj edhe sot, nuk kam asnjë kundërshtim.

Nëse s’kam pranuar urdhrin e Gjykatës dhe SPAK është shkruarje e Kushtetutës. Refuzova të zbatoj një urdhër antikushtetues, nga gjykatëse e shkarkuar nga unë në 1 shkurt 1996.

Unë jam që deputetët të mos kenë asnjë lloj dallimi nga qytetarët e thjeshtë në Kushtetutë, është krejtësisht normale. Do ta lexoj shkresën me hollësi, jam 100% dakord, që s’duhet të ketë mbrojtje. Gabuan rëndë ata që menduan se nuk paraqitem, por kishim të bënim me shkruarje të Kushtetutës. Ishte akt puçist”

Shkresa e plotë e SPAK:

E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit! Të nderuar Deputetë të Kuvendit !

Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin Drejtuesi i Prokurorisë, Altin Dumani.

Hetimet e SPAK

Kujtojmë që Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarber Malltezi po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” dhe ndërtimin aty të 17 pallateve – një biznes që sipas SPAK i mundësoi Malltezit që të fitonte 5.4 milionë euro nga ndërtimi.

Sipas prokurorisë, Malltezi arriti të transformojë një trashëgimi modeste prej 113.7 m2 tokë në një pasuri prej miliona eurosh përmes kontratave sekrete dhe vendimeve të Berishës në favor të biznesit të tij.

Berisha dhe Malltezi i kanë cilësuar akuzat si hakmarrje politike e orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe nuk i është nënshtruar masës së sigurisë. Përmes avokatëve të tij, Berisha ka nisur gjithashtu një betejë ligjore për t’i rrëzuar vendimet e Gjykatës si të kundërligjshme, duke argumentuar se masat ndaj tij ishin vendosur në shkelje të Kushtetutës. Nën hetim është dhe bashkëpronari i këtyre kompanive, Fatmir Bektashi.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit