E shtunë, 27 Korrik, 2024

“Vula”, Basha kërkon zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë

Edhe pse kanë kaluar rreth dy muaj nga koha që Gjykata e Lartë ktheu për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen e vulës së PD, ky vendim ende nuk është zbardhur. Për herë të tretë gjatë këtij harku kohor PD e drejtuar nga Lulzim Basha i është drejtuar kësaj gjykate që të zbardhë vendimin e 27 Dhjetorit për t’i dhënë fund dhe konfliktit se kujt nga grupimet brenda PD i përket vula.

 

“Zbardhjen sa më shpejt të vendimit të marrë në datën 27 dhe dërgimin e dosjes pranë gjykatës së Apëlit për t’i dhënë mundësi kësaj gjykate që në një kohë sa më të shkurtër të japë një vendim përfundimtar në lidhje me çështjen gjyqësore të Partisë Demokratike. Është një detyrim nga ana e gjykatës së laertë e cila po mbush praktikisht dy muaj nga vendimmarrja dhe është afërsisht 30 ditë në shkelje të afatit ligjor për zbardhjen e këtij vendimi. Do bëjë kërkesa të vazhdueshme deri në zbardhjen e këtij vendimi.”

Zbardhjen sa më shpejt të vendimit të Gjykatës së Lartë e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e PD-së drejtuar nga Sali Berisha, të cilët theksojnë se në këtë mënyrë do të shuhej debati për vulën brenda partisë.

Më 3 Mars të vitit të shkuar, gjykata e Apelit ia riktheu çështjen e vulës së PD Gjykatës së Tiranës, e cila kishte njohur Kuvendin kombëtar të thirrur nga grupi i Rithemelimit dhe vendimet e dala prej tij, përfshirë shkarkimin e të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të Partisë Demokratike.

Më 27 Dhjetor Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj e për këtë arsye çështja do të duhet të rigjykohet nga një tjetër trupë gjyqtarësh.

Me situatën e krijuar, pavarësisht se mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës, deri në një vendim të formës së prerë, përfaqësimi zyrtar i PD i mbetet Lulzim Bashës.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit