E enjte, 9 Maj, 2024

Plagosi me armë zjarri 36-vjeçarin pas një konflikti, policia vihet në ndjekje të autorit të dyshuar

Një 36-vjeçar është plagosur me armë zjarri paraditen e sotme në Xhafzotaj të Durrësit.

Raportohet se 36-vjeçari me iniciale E.D., banues në Shijak, është qëlluar me armë zjarri në këmbë pas një konflikti të çastit me një 30-vjeçar.

I plagosur ndodhet i shtruar në spital në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar 30-vjeçarit me iniciale A. H., banues në Durrës

“Rreth orës 11:15, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”-njoftoi policia.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit