E shtunë, 27 Prill, 2024

Humbën jetën qindra persona, Rusia nderon ushtarët të cilët i arrestuan të dyshuarit për sulmin në Moskë

Rusia u ka ndarë medalje nderi dhe shtetërore të hënën dy njësive të vendosura në rajonin perëndimor Briansk, në kufi me Ukrainën dhe Bjellorusinë, për shkak të rolit të tyre në kapjen dhe arrestimin e të dyshuarave për sulmin në një sallë koncertesh pranë Moskës, ku u vranë së paku 137 njerëz dhe u plagosën 180 të tjerë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi të hënën se çmimi shtetëror për guxim dhe çmimi ushtarak për përsosmëri ushtarake iu prezantuan zëvendëskomandantit të Qarkut Ushtarak të Leningardit, gjenerallejtënant, Esedulla Abachev, gjatë një ceremonie në bazën e njësiteve.

Zyrtarët rusë thanë se 11 njerëz janë arrestuar në lidhje me sulmin e 22 marsit në sallën e koncerteve Crocus në periferinë e Moskës, Krasnogorsk, përfshirë katër të dyshuar si kryerës të sulmit.

Më 24 mars, një gjykatë në Moskë ua caktoi masën e paraburgimit me kohëzgjatje dy muaj katër të akuzuarve për terrorizëm në lidhje me sulmin ndaj sallës së koncerteve pranë Moskës.Gjykata i zbuloi emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov dhe Faridun Shamsiddin, dhe tha se ata janë shtetas të Taxhikistanit.

Ata e pranuan fajin për të gjitha akuzat, sipas gjykatës.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pritet ta mbajë një takim të Këshillit të Sigurimit rus, për të biseduar për sulmin gjatë kësaj jave, raportoi televizioni shtetëror rus.

Dëshmi se katër të akuzuarit mund të jenë torturuar gjatë arrestimit nga forcat e sigurisë ruse, janë duke dalë në sipërfaqe vazhdimisht.

Ata dolën para gjykatës me mavijosje, njolla gjaku dhe me fytyra të ënjtura.

Rajabalizoda, të cilit thuhet se iu këput veshi gjatë arrestimit, kishte një fashë në pjesën e djathtë të kokës. Nuk ka konfirmim zyrtar se veshi i tij është këputur, ndërsa pjesa e djathtë e lëndimit të kokës së tij nuk u zbulua në sallën e gjyqit.
Më herët, kanalet ruse në Telegram, të lidhura me agjentët e sigurisë, e publikuan një video e cila shfaqi disa burra duke ia prerë një pjesë të veshit të Rajabalizodas dhe duke tentuar ta detyrojnë ta hajë atë.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Fontanka, videoja u publikua së pari nga kanale të lidhur me grupin famëkeq mercenar, Wagner.

Më 24 mars, kanali Grey Zone në Telegram, i cili gjithashtu është i lidhur me grupin Wagner, e publikoi një fotografi ku shihen burra duke e torturuar të dyshuarin Faridun Shamsiddin.

Fotografia shfaq një radio ushtarake e lidhur me tel me organet gjenitale të të dyshuarit, një formë e dokumentuar mirë e torturës me shok elektrik e përdorur në ushtrinë ruse.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka quajtur “të përgjakshëm, barbarë dhe terrorist” sulmin gjatë një fjalimi më 23 mars, ku nuk e përmendi Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin.

Ai pretendoi se Ukraina ishte e përfshirë, gjë që është mohuar kategorikisht nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zyrtarët amerikanë thanë më 24 mars se Ukraina nuk ka gisht në këtë masakër.

Shteti Islamik “është përgjegjësi i vetëm për këtë sulm. Nuk ka pasur aspak përfshirje ukrainase në këtë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.

Sulmi në sallën e koncerteve Crocus ishte më i rëndi në Rusi prej sulmit në shkollën Beslan më 2004, gjatë të cilit u vranë 333 njerëz, shumica e tyre fëmijë./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit