Miratimi nga kabineti i sigurisë së Izraelit për zgjerimin e luftës në Gaza përfshin më shumë se një fazë, sipas një burimi izraelit.
Pos pesë parimeve që janë miratuar për përfundimin e luftës, tashmë po zbardhet edhe plani si dhe fazat nëpër të cilat do të pushtohet në tërësi Gaza.
Faza fillestare: Afati për fazën e parë të operacionit, që përfshin evakuimin e Qytetit të Gazës dhe zgjerimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare është 7 Tetor, sipas burimit.
Data 7 Tetor i vitit 2025 është përvjetori i dytë i sulmit të udhëhequr nga Hamasi që shkaktoi luftën e Izraelit në Gaza. Data është zgjedhur me qëllim për shkak të simbolikës që ka, tha burimi.
Sipas një burimi të dytë izraelit, Izraeli do të zgjerojë ndjeshëm përpjekjet për ndihma humanitare në fillim të fazës së parë, por plani nuk parashikon shpërndarje të ndihmave brenda Qytetit të Gazës, si një mënyrë për të nxitur palestinezët të evakuohen.
Plani i miratuar është disi më i kufizuar sesa një marrje e plotë e të gjithë enklavës, duke u përqendruar vetëm në Qytetin e Gazës dhe duke përjashtuar kampet përreth.
Por, gjithsesi, përfshin evakuimin me forcë të gati gjysmës së popullsisë së territorit. Ushtria izraelite tashmë kontrollon 75 për qind të Gazës.
Rezerva ushtarake: Shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, paralajmëroi kabinetin e sigurisë për rrezikun e përkeqësimit të krizës humanitare në Gaza dhe pasojat ndërkombëtare të një përshkallëzimi të tillë të luftës, sipas burimit të parë, por paralajmërimet e tij u injoruan.
Zamir gjithashtu i paralajmëroi anëtarët e kabinetit të sigurisë për rrezikun që u kanoset 50 pengjeve që ende mbahen, nga të cilët mendohet se 20 janë ende gjallë.
Në vend të kësaj, Zamir paraqiti një plan më të kufizuar, të fokusuar në rrethimin e Qytetit të Gazës dhe zonave të tjera, por burimi tha se kabineti i sigurisë e hodhi poshtë planin.
Në një referencë të dukshme ndaj propozimit të Zamir, zyra e Netanyahut tha se një “plan alternativ që ishte paraqitur kabinetit të sigurisë nuk do të arrinte as shkatërrimin e Hamasit dhe as kthimin e pengjeve”.